Paralajmërohet aksion kundër shitësve ilegal në Bit Pazar

409
fresco

Rastësi apo jo, një muaj para zgjedhjeve lokale, pjesa e rinovuar e tregut të Bit Pazarit edhe zyrtarisht është lëshuar në përdorim. Në hapjen solemne prezent ishte gati gjysma e Qeverisë në krye me kryeministrin, kryetarë të komunave dhe një pjesë e elitës së biznesit në vend. Gjysma e zyrtarëve ishin pa maska, mes të cilëve edhe kryeministri Zaev. Distancë nuk kishte as për gazetarët e as për politikanët. Dhe derisa autoritetet lëvdoheshin me tezgat e reja, rreth tregut vazhdojnë problemet e reja. Tregtarët ilegal shisnin para syve të policisë dhe autoritetet e tjera, që rregullisht pohojnë se luftojnë kundër ekonomisë gri. Kompetentët thonë se tashmë nuk ka arsyetime për shitësit ilegal sepse ka tezga të mjaftueshme në treg, duke paralajmëruar kontrolle më të rrepta.

Paralelisht me hapjen, u zhvillua një plan operacional nga shërbimet inspektuese të Qytetit të Shkupit, komunës së Çairit, Inspektoratit të tregut dhe Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që të mos lejohen ato pamje që duket se përsëriten, sepse tani nuk ka asnjë arsyetim për përdorimin e hapësirës publike për kryerjen e ndonjë aktiviteti ose lënien e makinave”, theksoi Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Ndërsa kalimin ilegal që të çon direkt në treg, këmbësorët edhe sot e shfrytëzonin, edhe atë para syve të policisë. Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu në pyetjen e TV Alsat shprehet se nuk ka mënyrë si ta mbyll kalimin pasi qytetarët nuk duan ta përdorin mbikalimin. Ai thotë se kështu e kanë më lehtë. Ndërsa lidhur me uzurpimin e hapësirës publike nga shitorja pranë urës, e cila vazhdimisht zgjerohet, fajin e drejtuan tek kryesia e mëparshme e Qytetit të Shkupit. Tani pritet të kalojë afati i lejes për punën e shitores në fjalë.

Jo që ura nuk funksionon për ndonjë arsye, por se qytetarët nuk e përdorin, pra nuk e duan”, tha Visar Ganiu, kryetar i komunës Çair.

Ndryshe, pjesa e re e tregut ka 630 tezga, 175 lokale apo shitore ndërsa në pjesën e sipërme ka vende për parkimin e 200 makinave. Çmimi mujor i tezgës varet nga vendi dhe sillet prej 4500 deri 5500 denarë ndërsa te dyqanet çmimi sillet prej 15 deri 17 mijë denarë. Se sa këto çmimet do të jenë të pranueshme për shitësit ilegal që shesin nëpër kuti të improvizuara kartoni dhe nëse inspektorati dhe policia do të mbajnë rend rreth tregut, do të mësohet nga e hëna kur edhe zyrtarisht do të funksionojë i tërë tregu.

Ile Petrevski

Comments