Pas deklaratave të Haki Abazit, aktivizohet Prokuroria: Të hënën do ta intervistojmë Albin Kurtin

1,007

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është deklaruar sot para mediave.
Në një konferencë të mbajtur pak më parë ndër të tjerash Abazi ka theksuar se ekzistojnë audio e video incizime në të cilat flitet edhe për rastin Dehari.

Sipas tij në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore ekzistojnë monitorim të kamera në 24 orë, e që sipas tij ato kamera kanë ekzistuar edhe në kohën kur janë zhdukur provat e rastit Dehari.

“Këto audio-incizime e video-incizime janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mia që kam shtuar e diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellur shkarkimi përbrenda Vetëvendosjes.Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për të sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë, asnjë.Por ne as si shoqëri as si qytetar individual e as si deputet s’mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe duhet të kryejmë punën. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera e janë zhdukur”,deklaroi ai, transmeton lajmi.net.

Përpos kësaj Haki Abazi tha se porosia e tij për ministren e Albulena Haxhiu është që të kryejë punën e saj si ministre e cila ka obligim para qytetarëve dhe para deputetëve.

“U thashë se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka 24 orë në monitorim kamerat. Dhe thash që Prokuroria duhet ta marrë në pyetje: Albin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiu, Nazlie Balaj dhe Flora Bogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Platforma e VV-së ka qenë drejtësia duhet të dalë në dritë”, përfundoi ai.

E në lidhej me këto pretendime është deklaruar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Isufaj ka thënë se në rast se Abazi ka deklaruar ashtu, qysh të hënën do të intervistojnë edhe kryeministrin Albin Kurti, por edhe ministren Albulena Haxhiu.

“Nëse ka thënë ashtu, ne nesër do ta intervistojmë Kurtin e Haxhiun. Në fakt të hënën, meqenëse nesër nuk është ditë pune, menjëherë në ditën e ardhshme të punës, do t’i intervistojnë.” – ka thënë Isufaj për Nacionale.

Ndryshe rasti i Astrit Deharit vazhdimisht është përmendur nga Lëvizja Vetëvendosje, e shokuese kishte qenë se si ishin zhdukur provat pikërisht në lidhje me këtë rast./Lajmi.net/

Comments