Pas kritikave të Shaqirit, trajneri i Baselit: Është vetëm në fillim të karrierës së tij si trajner
Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka kritikuar trajnerin e tij, Ludovic Magnin, për vonesën e një ndryshimi në skuadër pas barazimit zhgënjyes 1-1 kundër Copenhagen në shtëpi, të mërkurën mbrëma.
Baseli nuk arriti të shfrytëzojë terrenin vendas në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it, pasi lëshoi epërsinë 1-0 të shënuar nga vetë Shaqiri dhe në fund ndeshja përfundoi baras 1-1.
Ylli shqiptar pati kritika ndaj trajnerit në lidhje me mungesën e fitores dhe moszëvendësimin e Jonas Adjei Adjetey, i cili u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 43-të dhe më pas me të kuq në minutën e 82-të.
“Ndoshta duhet të reagojmë ndryshe dhe ta largojmë më herët,” tha fillimisht kapiteni Shaqiri për Jonas Adjetey.
“Së paku një lojtar që merr karton të verdhë në fillim rrit mundësinë për përjashtim. Duhet të mësojmë nga kjo dhe ndoshta të bëjmë një zëvendësim më shpejt herën tjetër,” përfundoi Shaqiri.
Mediat zvicerane pyetën trajnerin Magnin për kritikat e Shaqirit, të cilat ai i pranoi me sportivitet.
“Nuk jam dakord. Nuk mendoj se duhet ta largoj menjëherë një lojtar nëse merr karton të verdhë. Do ta bëja përsëri. Një karton i verdhë nuk është i pazakontë për një mbrojtës,” tha fillimisht Magnin.
“E di marrëdhënien time me Shaqirin. Nuk është aspak problem. Shaqiri është vetëm në fillim të karrierës së tij si trajner. Ai ka ende shumë për të mësuar,” përfundoi trajneri duke qeshur.

