Pasiguria/ OMNIX Group largohet nga Shqipëria me 450 milion euro investime
Iku dhe një tjetër kompani e huaj. Biznesmeni libanez, Fadi Mitri, i cili u rrah 10 ditë më parë barbarisht, është tërhequr nga investimi që kompania e tij kishte planifikuar në gjirin e Lalsit. Omnix Albania, kompania e drejtuar nga Jamal Abu Isaa ka njoftuar se do të tërhiqet nga investimi prej 450 milionë dollarësh në kompleksin turistik. Ajo bëri të ditur se nuk do të bëjë asnjë investim tjetër në Shqipëri. Fadi Mitri tha se personat që e dhunuan në mes të ditës, në rrugën Tiranë – Rinas, i kërkuan të largohej nga Shqipëria. Policia ka ndaluar njërin nga personat që dyshohet se kanë dhunuar atë. Largimi i Omnix Albania tregon se krimi triumfoi, duke penguar një investim miliona dollarësh të një kompanie të huaj.
Deklarata e kompanisë:
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër Z. Fadi Mitri dhe familjes së tij na ka hidhëruar dhe trishtuar pa masë. Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalëzit.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e hoteli me 5 yje, 370 dhoma suita, me të gjithë elementët e tjerë të një standarti më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, aquapark, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.
Ky projekt gjigant synonte do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do ti jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan. Me këtë investim Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Si konkluzion Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjellë indinjatë për cdo shqiptar. Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë.
Falenderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta. I jemi mirënjohës të gjithë atyre miqve, shumica shqiptar, të cilët kanë qëndruar pranë dhe kanë mbështetur familjen e zotit Fadi Mitri në këto ditë.
Jamal Abu Issa, drejtues i OMNIX Group