Performanca e dobët apo arrestimi i Haki Rugovës/ Pse u shkarkua Rashit Qalaj?

463

Sot është shkarkuar drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit, Qalaj është shkarkuar bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti ka liruar nga detyra z. Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.”, thuhet në këtë njoftim.

Por, ditë më parë, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë ka arrestuar kryetarin e komunës së Istogut, njëkohësisht nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugovën.

Në anën tjetër, mësohet se Hoti e ka marrë vendimin për shkarkimin e Qalajt me rekomandimin e Agim Veliut, njeri i afërt brenda partisë me Haki Rugovën.

Pas arrestimit të Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte quajtur veprimin e policisë të motivuar politikisht. Në këtë vijë vlen të theksohet se Qalaj ishte emëruar drejtor i Policisë në vitin 2018 kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në anën tjetër, vlen të theksohet se në zgjedhjet e fundit në Istog është zhvilluar garë e fortë për vendin e parë midis LDK-së dhe AAK-së, por mbetet të shihet nëse shkarkimi i Qalajt ka qenë i motivuar politikisht.

Ndërkohë, Kryeministri Hoti e ka emëruar z. Samedin Mehmeti, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/ 

Comments