Përfundon pushimi dimëror, nxënësit prej nesër i kthehen mësimit

Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ka përfunduar pushimi dimëror dhe prej nesër kthehen në mësim në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2022/2023.
Pushimi u vazhdua me vendim të Qeverisë për shkak të funksionalitetit të shkollave dhe gjysmëvjetori i dytë në vend se në 18 janar fillon nesër.

Me shumë gjasa viti shkollor do të përfundojë më 14 qershor në vend se më 9 qershor (e premte), pasi siç tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, nxënësit duhet t’i plotësojnë të gjitha 180 ditët mësimore të përcaktuara me Kalendarin për procesin edukativo-arsimor në shkolla.
“Për funksionim sa më të mirë të procesit, për shkak se 18 janari është e mërkurë, data 19 është ditë feste për shumicën e qytetarëve dhe data 20 është e premte, vendosëm që gjysmëvjetori i dytë të fillojë të hënën.
Poashtu, të plotësohen të gjitha 180 ditët e punës deri në fund të këtij gjysmëvjetori të dytë. Ka tre ditë pune mësimore dhe nuk shoh arsye që të ketë ndonjë problem”, tha Shaqiri javën e kaluar.