Përfundon takimi mes kryeministrit Mickoski dhe Taravarit, bisedimet do të vazhdojnë

Ka përfunduar pak më herët takimi mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i cili zgjati rreth një orë e gjysmë. Burime nga qeveria thonë për Alsat se takimi përfundoi në frymë konstruktive kurse bisedimet do të vazhdojnë. “Gjatë këtij muaji do të dihet e ardhmja e funksionimit të Aleancës për Shqiptarët të Taravarit. Mickoski në takim i konfirmoi pozitat e shprehura tashmë edhe publikisht”, thonë po të njëjtat burime. Kryeministri më herët gjatë ditës deklaroi se Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me ata që për dy dekada kriminalizuan shtetin, një opsion i tretë nuk ekziston. Taravari tha se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë.

“Si person, kam mendim pozitiv për z. Taravari por në politikë fytyra është diçka që e ke ose që nuk e ke, nuk ka variante fluide. Ose e mban fjalën ose nuk e mban. Unë mendoj se në rastin e tij të paktën tre herë e kam dëshmuar dhe e kam mbajtur fjalën, edhe kur ka pasur momente kur kryesia e partisë ka pasur dilema. Prandaj lojërat pas krahëve janë lojëra që shihen, lehtë identifikohen dhe vërehen dhe shpesh këto lojëra pas krahëve u bien mbi kokë atyre që i bëjnë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
“Unë e shoh se VLEN-i sikur selvilosen dhe me çdo kusht duan të jenë në qeveri. Nëse është ky kushti neve s’na pengon aspak hiç, le të vazhdojnë, le të rrinë, por duken keq nga jashtë dhe lënë përshtypje shumë të keqe. Për ne nuk ka asnjëfarë problemi. Në qoftë se është ky kushti, me kënaqësi do ta pranojmë. Në momentin që do të vendosim ose kur kryesia e partisë të vendosë të shkojmë me BDI-në, as që kërkojmë ne (të jemi) në qeveri, as që duam të jemi pjesë e qeverisë. Por tash për tash kryesia qendrore ka vetëm një vendim që të dalim me listat tona të veçanta për këshilltarë komunal”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët../Alsat.mk