Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.
Me këtë rast, ai tha se është e dhimbshme dhe e papranueshme, që tërë këto vite që nga fundi i luftës ende nuk është zbardhur fati i të gjitha viktimave.
“Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika, qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare, duhet të qëndrojë larg kësaj teme”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se si protagonist i zhvillimeve politike në vend por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet me urgjencë.
“Jam zotuar para jush, z. Çerkini dhe z. Trifunoviq, dhe e përsëris edhe sot, se personalisht do të angazhohem edhe më fuqishëm që të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për të gjithë ne” pohoi Thaçi.