Peza për Zhurnal: Referendumi një test për të ardhmen e ekuilibrave gjeostrategjikë në Ballkan dhe Evropë

198

Shkup, 18 shtator – Gazetari dhe shkrimtari Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), në një prononcim ekskluziv për Agjencin e Lajmeve Zhurnal, duke folur për aktualitetin politik në vend, ka theksuar se qytetarët e Maqedonisë janë të “dënuar” nga historia e tyre, që të dëshmojnë me votë, se janë Europianë dhe i përkasin qyteterimit perëndimor.

“Referendumi i 30 shtatorit, më shumë sese një “po” dhe një “jo” mbi një fletë-votimi, është një test për të ardhmen e ekuilibrave gjeostrategjikë në Ballkan dhe në Evropë. Mesazhet e Kancelares Merkel dhe Sekretarit Mattis, ishin më të qarta se kurrë. Qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi dhe shqiptarët në vaçanti, duhet të kuptojnë se “Itaka” e tyre është Brukseli, pavarësisht kënges ruse të sirenave në dy anët e anijës… “Odiseja- popull”, do të dijë të lundrojë drejt pikës që i ka caktuar vetës në horizontal e të ardhmes”, thotë për Zhurnal, gazetari dhe shkrimtari Alfred Peza.

Sipas tij, pakkush mund të besojë se Maqedonia do votojë në referendum për të shkuarën dhe jo për të ardhmen.

“Për të djeshmen dhe jo për të nesermën e fëmijëve të vet dhe brezave të ardhshëm. Se Maqedonia do rikthehet në epokën e Jugoslavisë dhe Traktatit të Varshavës dhe do të refuzojë që të votojë për epokën e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Marrëveshja e Prespës është një projekt për Maqedoninë e mijëvjeçarit të ri dhe jo për Maqedoninë e shekullit të kaluar. Ndaj populli i maqedonisë do të dijë tja bëjë më të lehtë mazhorancës vendimarrese në Parlament dhe elitës politike pro perëndimore në Shkup e Tetovë, votimin final. Askush nuk ka aq fuqi mbi tokë, sa të ndalojë rrotën e historisë, që të mbërrijë në destinin e vet”, potencon Peza.

Comments