Piromanët i ven flakën veturës në Tetovë, nuk ishte risi për familjen Limani, policia heton rastin! (VIDEO)



Kjo ishte vetura e Emin Limanit nga Tetova, e cila u përfshi nga flakët natën e 12 dhjetorit, kur kamerat e sigurisë kapën dy persona të panjohur të përfshirë në këtë akt piroman.
Është hera e dytë që familjes Limani po i ndodh një gjë e tillë dhe që ende nuk dihen motivet. Pamjet ishin incizuar nga kamerat e sigurisë, që Emin Limani i kishte vendosur për shkaqe sigurie. Ai thotë se familjarët kanë pësuar trauma psikike nga këto raste të njëpasnjëshme.
“Para një jave na e kanë djegur veturën, ky është rasti i dytë. Personat janë anonim, ende nuk i dimë se kush janë. Mendojmë që do të zbardhet ky rast. Është hera e dytë që po na dëmtojnë edhe materialisht dhe psiqikisht”, u shpreh Emin Limani, Pronar i veturës së djegur.
Dy vëllezërit e Eminit kishin ardhur nga kurbeti që t’i japin mbështetje morale familjes pasi që nuk ndihen më të sigurte. Ata nuk besojnë se organet e rendit do të arrijnë të identifikojnë aktorët e aktit andaj thonë se nëse nuk zbardhet rasti, do t’i përveshin mëngët.
“Mungojnë masat e sigurisë nga policia. Autorët e aktit ende po ecin të lirë. Nëse e ka bërë njëherë këtë gjë, ai mund ta bëj përsëri, pamarre parasysh se a tek familja jonë apo ndokund tjetër. Ligji është vetëm i shkruar në letër, mirë po këtu ligj nuk ka”, tha Azim Limani, vëllai i pronarit.
Marijan Josifovski nga sektori i punëve të brendshme Tetovë vërteton rastin dhe thotë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe motivet se pse është shkaktuar zjarri.
“Rasti është paraqitur kurse me intervenimin e zjarrfikësve të Tetovës, zjarri është lokalizuar. Është kryer ekspertizë nga sektori i brendshëm i Tetovës dhe është gjetur shishe që do ta hetojnë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit që kush dhe pse gjegjësisht cili ka qenë motivi për kryerjen e të njëjtës”, tha Marjan Josifovski, Zëdhënës I Spb Tetovë.
Gjatë këtij viti, në këtë lagje janë vënë në flakë tre vetura dy prej të cilave i takonin familjes Limani./Tv21