Pjetër Shala nuk u bindet gjyqtarëve të Hagës, nuk ngrihet në këmbë gjatë leximit të vendimit

120

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallë sot aktgjykimin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i dënuar për krime lufte të kryera në vitin 1999.

Shala, i cili nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit, po e ndjek seancën përmes video-konferencës.

Në momentin kur gjykatësi kërkoi që ai të ngrihej në këmbë për leximin e aktgjykimit, ai nuk iu bind kërkesës.

Avokati i tij kërkoi pak kohë për të diskutuar me të, dhe si pasojë seanca u ndërpre për pesë minuta.

Gjykata e Apelit rrëzoi shumicën dërrmuese të argumenteve që mbrojtja e Shalës kishte paraqitur në kërkesën për lirimin e tij ose për kthimin e çështjes në rigjykim.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Comments