Pllaka përkujtimore e Ukë Bytyçit shpaloset ne selinë qendrore të LDK-së
Sot në selinë qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës është shpalosur pllaka përkujtimore në nderim të Ukë Bytyqit.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka treguar se shpalosja e kësaj pllake është bërë bashkë me gruan e të ndjerit, Kimeten, fëmijët Shqipen dhe Flamurin si dhe bashkëveprimtarët politikë.
Postimi i plotë:
Sot, në 23-vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyçit, bashkë me zonjën Kimete fëmijët Shqipen e Flamurin, e bashkëveprimtarët politik, shpalosëm pllakën përkujtimore të tij në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Uka është vendosur aty ku e meriton, pranë bashkëveprimtarëve të mëdhenj të kauzës sonë kombëtare: Enverit, Xhemës, Shabanit, Ismetit e Nekibes – në Koridorin e Kujtesës.
Jeta e tij është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë, me guxim dhe me përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e ‘81-shit, në themelimin e LDK-së, në organizimin e rezistencës, në luftën për liri në Zonën Operative të Pashtrikut, dhe në drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe për shërbimin ndaj qytetarëve.
Ai u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore, por idealet e tij nuk u shuan kurrë.
Sot, LDK-ja e nderon e kujton me mirënjohje të thellë një prej bijve të saj më të denjë, një simbol të qëndresës dhe të dashurisë për Kosovën.
Lavdi jetës dhe veprsës së Ukë Bytyçit.

