Polarizimi mes shqiptarëve!
Polarizimi politik ka bërë që edhe shqiptarët të ndahen në taborë kundër njëri-tjetrit.
Në rrjetet sociale, miqtë, qoftë realë apo virtualë, shpesh shndërrohen në kundërshtarë të ashpër vetëm pse i përkasin një partie ose mbajnë simpati për një grupim tjetër.
Sot postojnë e komentojnë me zjarr, ndërsa pas një jave nuk dihet ku përfundojnë, ndoshta në një parti tjetër, si satelitë që vrapojnë pas qeverisë, gjithmonë duke ndjekur interesin personal.
Disa aktivistë të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpesh harrojnë se përballë nuk e kanë vetëm “kundërshtarin shqiptar”, por një nacionalizëm maqedonas i cili gjithmonë ka punuar që ne të jemi të përçarë, të dobësuar dhe të nënshtruar.
Në vend që të kritikojmë njëri-tjetrin për të ndrequr gabimet dhe për ta forcuar rrugën tonë, ne shpesh bëhemi armiq mes vedi, duke harruar se e ardhmja jonë varet nga bashkimi, jo nga përçarja.
Më e dhimbshmja është që edhe pse kryeministri maqedonas dhe partia e tij nuk i përfillin aspak shqiptarët, ne përsëri e shpenzojmë gjithë energjinë duke u marrë mes vedi.
Vetëm sot, kryeministri Mickoski nga Tetova, në pyetje të një gazetari, poshtëroi hapur Bilall Kasamin dhe Adnan Azizin duke u thënë se me retorikën e tyre janë bërë pjesë e folklorit të opozitës shqiptare dhe se nuk kanë asnjë fuqi reale politike për të vendosur në këtë qeveri.
E pikërisht kjo është strategjia që i leverdis më së shumti nacionalistëve maqedonas: shqiptarët të grindën mes vedi, ndërsa të drejtat e tyre të mbeten pezull, të paplotësuara dhe të injoruara nga pushteti.

