Policia kërkon ndihmë te “Nëna Naile” për zyrtarët e saj

681
fresco

Janë rreth 100 pjestarë të Policisë së Kosovës që kanë probleme të ndryshme shëndetësore. Kështu ka bërë të ditur Rashit Qalaj, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Për shkak të problemeve të shëndetit mendor, një zyrtare policore në Gjilan dy ditë më parë ka vrarë të gjithë anëtarët e familjes e më pas edhe veten.

Policia e Kosovës po ballafaqohet me probleme të shumta për rehabilitimin e pjesëtarëve të saj. Por, së fundmi, ky institucion do të mundë të trajtojë pjesëtarët e saj që kanë probleme nga sëmundjet e ndryshme, por kryesisht lëndimet fizike.

Zyra e prokurimit të policisë ka lidhur dje kontratë me Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile”, shkruan lajmi.net.

Kontrata titullohet “Shërbimet rehabilituese mjekësore për PK-së”.

Marrëveshje me këtë qendër rehabilituese është kornizë me kohë zgjatje për 36 muaj.

Vlera e përgjithshme e kontratës 12.920,00 euro.

Sipas kontratës së nënshkruar, çmimi për rehabilitimin e një personi është 190 euro.

Fituesi është shpallur me 28 janar 2020, ndërsa kontrata është nënshkruar dje në mes të Policisë së Kosovës dhe fituesit të tenderit.

Lënda e kontratës ka të bëjë me shërbimet rehabilituese mjekësore për rikthimin e aftësive për punë dhe jetë të pavarur pas lëndimeve apo sëmundjeve, kërkesa përfshin ushqimin, fjetjen, kontrollimet mjekësore dhe terapinë fizikale – ushtrimet sipas nevojave te autoritetit kontraktues.

Fillimisht PK-ja kishte hapur tender për këtë punë në tetor të vitit 2019, por nuk kishte pasur asnjë ofertë.

Zyra e prokurimit të PK-së ka arritur që të realizojë këtë tender tek në iniciativën e tretë, pasi dy herë i ka dështuar tenderin. Herën e dytë ka qenë vetëm oferta e “Nëna Naile”, dhe oferta e saj ishte vlerësuar administrativisht e pa përgjegjshme. Ky anulim ishte bërë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. /Lajmi.net/

Comments