Predikuesi islam Imran Hosein ndalohet në Rinas, shpallet i rrezikshëm për sigurinë kombëtare
Autoritetet shqiptare kanë ndaluar në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit predikuesin islam Imran Hosein, i cili është cilësuar si person me rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas burimeve zyrtare, Hosein ishte nisur nga Trinidad & Tobago drejt Shqipërisë për një agjendë me karakter fetar, por nuk u lejua të hyjë në territorin shqiptar për shkak të informacioneve të sigurisë që lidhen me aktivitete të mundshme me prirje ekstremiste.
Aktualisht, predikuesi mbahet në ambientet e aeroportit deri në përfundimin e procedurave për rikthimin e tij në vendin e origjinës.
Imran Hosein njihet si studiues dhe predikues i njohur për komentet mbi eshatologjinë islame dhe çështjet botërore moderne, por njëherazi është përballur me kritika nga dijetarë të ndryshëm për interpretimet e tij të debatueshme mbi hadithet dhe për qëndrimet ndaj temave të ndjeshme, përfshirë rolin e Izraelit në profecitë islame.