Presidenca “harron” organizimin për masakrën e Reçakut, Kryesia e Fshatit: Janë të zënë me zgjedhje
Kryesia e fshatit Reçak ka vendosur që ta bëj vet organizimin për përkujtimin e masakrës së 15 janarit të 1999-tës që ndodhi në këtë fshat.
Me anë të një komunikate për media kryesia e Reçakut ka thënë se çdoherë organizimin për këtë ngjarje e kishte bërë presidenca e Kosovës, mirëpo që këtë vit, kryesia e fshatit ka akuzuar ashpër presidencën se është e zënë duke u marrë me zgjedhje, shkruan lajmi.net.
“Ka disa vite që organizimin e përkujtimit të 15 Janarit 1999 për Masakrën e Raçakut e ka marrë nën patronatin e vet Presidenca e Republikës së Kosovës, por si duket këtë vit Presidenca është duke u marrë ma shumë me zgjedhjet parlamentare duke e lënë anash një ngjarje e cila është ndër ngjarjet më të rëndësishme të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Kryesia e fshatit u ka bërë thirrje që të gjithë ata që janë pjesëmarrës në organizim, t’i respektojnë masat.
Postimi i plotë:
Të nderuar bashkëvendas,
Me datë 11.01.2021, në cilësinë e përfaqësuesit të fshatit Raçak mora pjesë në takim konsultativ të thirrur nga Kryetari i Komuës, lidhur me agjendën kushtuar 15 Janarit 1999 “Masakra e Raҫakut”. Në këtë takim ishim prezente:
Kryetari i komunës, Naim Ismajli; Nënkryetari Rrahman Jakupi; Drejtori i DSHP-së, Hamëz Tërshani, përfaqësuesi i fshatit Raçak Adem Ramadani si dhe zyrtarë Policorë nga stacioni i policisë së Shtimes.
Në këtë takim pas diskutimeve të gjithë ishin të pajtimit që duhet të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë për zbatimin e masave të veҫanta për mbrojtje nga Pandemia COVID-19.
Duke u bazuar në këto masa të gjithë ishim të vetëdijshëm se tubimet janë të ndaluara e që si pasojë e kësaj ndalese në këtë përvjetor nuk do të ketë Akademi Përkujtimore kushtuar “Masakrës së Raçakut”, që ti shmangemi turmave të mëdha të cilat do të mund të rezultonin të dëmshme për popullatën tonë.
Ka disa vite që organizimin e përkujtimit të 15 Janarit 1999 për Masakrën e Raçakut e ka marrë nën patronatin e vet Presidenca e Republikës së Kosovës, por si duket këtë vit Presidenca është duke u marrë ma shumë me zgjedhjet parlamentare duke e lënë anash një ngjarje e cila është ndër ngjarjet më të rëndësishme të vendit tonë.
Lusim të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në Homazhe të jenë të pajisur me maska dhe të respektohet distanca e paraparë nga Qeveria e Republikës së Kosovës-Ministria e Shëndetësisë.
Të bashkëngjitur e gjeni agjendën. /Lajmi.net/