Presidentja Vjosa Osmani rrëfen fillimet e saj: Mbaja nga tre vende të punës, rrogat e para ia dhashë prindërve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një udhëtim pas në kohë, duke rikujtuar fillimet e saj profesionale dhe mënyrën se si i menaxhoi pagat e para.
Në podkastin “3GO – Trego”, ajo rrëfeu se në moshën 17-vjeçare, menjëherë pas luftës, priste në radhë për një intervistë pranë zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Thotë se gjithmonë ka pasur vetëbesim, prandaj edhe e fitoi vendin e saj te punës.
“Nuk më lejohej të punoja me 17 vjet, prita derisa i mbusha 18 dhe menjëherë fillova punën”, thotë Osmani.
E që nga ajo ditë, Osmani thotë se nuk është ndalur kurrë më.
“Punoj prej vitit 1999, në një pjesë të madhe të jetës i mbaja nga tri vende të punës. Doja që familja ta largonte brengën e të hollave”, thotë Osmani
Ajo zbuloi se rrogat e saj të para ua kishte dorëzuar prindërve, duke ua lehtësuar kështu atyre mbulimin e shpenzimeve, pasi të njëjtit kishin mbetur pa punë në atë periudhë të vështirë.
“Rrogën e parë ua kam dhënë prindërve komplet, edhe të dytën, edhe të tretën edhe të dhjetën. Për mua ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme me pasë mundësi me ndihmu familjen, me pasë mundësi motrat dhe vëllai mos me mendu më a munden me i mbulu shpenzimet e shkollimit dhe prindërit mos me pasë më brengën edhe ngarkesën që e kanë pasë nga viti 89 kur i kanë larguar nga puna. E fitova vendin e punës, dhe prej ‘99 punoi kurrë pa ndalë, një pjesë të madhe të jetës nga tri vende të punës. Për mua ka qenë ndjenjë shumë pozitive”, shtoi ajo.

