PRIVATIT S’I SHKON KUSH! Puna e shtetit, e preferuar
Sektori privat në Maqedoninë e Veriut për vite me radhë është më pak tërheqës për punësim në raport me punën në administratë. Këtë e tregojnë edhe vështirësitë e mëdha të afaristëve që të gjejnë punëtorë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 tetor – Sektori privat në Maqedoninë e Veriut për vite me radhë është më pak tërheqës për punësim në raport me punën në administratë. Këtë e tregojnë edhe vështirësitë e mëdha të afaristëve që të gjejnë punëtorë nga njëra anë, si dhe prirja e shumicës së të diplomuarve nga fakultetet apo edhe shkollat e mesme që të gjejnë një vend pune në sektorin publik apo edhe të ikin jashtë nëse posedojnë kualifikime që kërkohen në perëndim, shkruan gazeta KOHA.
Hapja e dyerve për punëtorët tanë në perëndim ku për disa muaj fitojnë gati sa 10 muaj në vendlindje, pagat e ulëta në sektorin privat, pasiguria për një vend pune, dhe më shumë privilegje që i gëzojnë të punësuarit në punën e shtetit, bëjnë që pak të ketë të interesuar për në fabrika apo në sektorin privat. Bile edhe në shpalljet e Agjencisë së Punësimit mund të gjenden oferta për punë për inxhinier teknolog me arsim të lartë prej 15 mijë denarë që është afër 14.500 denarë sa do të jetë paga minimale prej muajit dhjetor të këtij viti. Apo edhe shpallje për agronom me arsim të lartë për 12 mijë denarë.
“Administrata akoma paraqet një opsion të sigurt në raport me sektorin privat, ku akoma kemi mos pagesë me kohë të pagës, pagesës së një pjesë të pagës me para të gatshme në dorë etj… Njëherësh edhe gjatë huamarrjes, bankat më shumë kanë besim dhe japin kredi me kushte më të mira për të punësuarit në administratë”, thotë Dijana Despodov nga Oda Ekonomike Amerikane.
Nga ana tjetër, në vend mungon një storie suksesi që do të motivojë më shumë të rinjtë të orientohen ndaj sipërmarrjes dhe hapjes së bizneseve vetanake vlerësojnë konsulentët.
“Kemi shembullin në Estoni, ku pas blerjes së Skajp nga ana e Majkrosoft, pjesa më e madhe e të punësuarve u bënë milionerë. Ndërkaq tek ne, akoma mbetet një traditë socialiste se puna në shtet është më e mirë për shkak se në një periudhë afatgjate, sjell stabilitet të vendit të punës, pagë dhe pushime të rregullta për dallim prej sektorit privat që perceptohet si vend ku pronarët i mundojnë të punësuarit për pagë dy herë më të vogël”, thotë konsulenti i biznesit, Igor Isotov.
Vlerësohet gjithashtu se punësimi në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut e rehaton punëtorin deri në pension. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat për rritjen e madhe të numrit të të punësuarve në kompani në pronësi të komunave apo të shtetit. Në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë janë të punësuar mbi 17.872 persona, tregon Regjistri i të punësuarve në sektorin publik. Kjo paraqet dyfishin e të punësuarve në këto kompani në raport me dhjetë vite më parë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në vitin 2007, në ndërmarrjet publike kanë qenë të punësuar 8299 persona, që do të thotë dyfishimin e tyre në periudhën 2007-2017.
Ndryshe, në favor të rritjes së nivelit të përgjithshëm të pagave në shtet bile edhe me subvencione, flet edhe fakti se në tregun e punës në Maqedoni figurojnë afër 200 mijë persona të papunë, ndërsa për çdo muaj ofrohen nga 6000 deri 7000 vende të lira të punës që nuk mund të plotësohen. Paradoksi ku nga njëra anë të papunët ankohen se nuk mund të gjejnë punë, ndërsa nga ana tjetër, firmat ankohen se nuk mund të gjejnë punëtorë, shpjegohet nga ekonomistët me faktin se punëtorët janë të pakënaqur me nivelin e pagave që ofrohen, punojnë në të zezë, në bujqësi, apo angazhohen në punë sezonale jashtë. (koha.mk)