PS shkarkon Kokëdhimën

133


PS shkarkon Kokëdhimën

Kryesia e Partisë Socialiste ka propozuar dje shkarkimin e ish-deputetit Koço Kokëdhima nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në Selinë rozë. Burime nga selia e PS-së thanë dje për gazetën se është kërkuar largimi i Kokëdhimës dhe zëvendësimi i tij me një tjetër figurë në selinë rozë. Sipas statutit të PS është Asambleja Kombëtare ajo që mund të shkarkojë një sekretar dhe anëtar të Kryesisë së Partisë Socialiste. Të njëjtat burime thanë se çështja e votimit në Asamble do të jetë formale, pasi Kryesia ka dhënë argumente për largimin e ish-deputetit. Botuesi dhe biznesmeni i njohur Koço Kokëdhima është palosur pas tre viteve në politikë si deputet, më pas si kordinator i Jugut dhe dje e përjashtuan nga selia rozë. Një ngjitje e shpejtë në kupolë dhe rrëzim i mënjëhershëm duke ia thyer të gjitha brinjët politike në pak muaj.

Sipas burimeve arsyeja e propozimit për shkarkim është moskryerja e detyrës së sekretarit që i ishte caktuar nga partia. Gjithashtu, po sipas burimeve në PS, Kokëdhima nuk ka marrë pjesë në mbledhje të partisë ku është diskutuar për problemet e brendshme dhe zgjidhjen e tyre.

Pavarësisht qëndrimeve nga brenda Partisë Socialiste për motivet e shkarkimit, largimi i Kokëdhimës nuk ka të bëjë me “mungesat”, por lëvizjet e fundit politike të tij. Muajin e fundit ish-deputeti Koço Kokëdhima ka ndërmarrë një lëvizje brenda strukturave të partisë. Qëllimi i Lëvizjes, sipas Kokëdhimës, është reformimi i strukturave, ndryshimi i statutit të partisë për përzgjedhjen e deputetëve dhe demokracia e brendshme. Kokëdhima zhvilloi disa takime në Sarandë, Vlorë dhe Tiranë. Dhe po përgatitet për rrethet e tjera. Drejtuesit lokalë të PS-së u distancuan dhe mes mbështetësve të Kokëdhimës dhe zyrtarëve lokalë të selisë rozë ka pasur dhe përplasje publike. Nga ana tjetër, Kokëdhima ka qenë aktiv këto muaj në media ku ka kritikuar ashpër dhe disa vendime të qeverisë si dhe zhvillimet e brendshme në parti. Ai la të kuptojë se PS-ja nuk funksionon dhe nuk ka demokraci të brendshme, ndërkohë që duhet pranuar që nëse ka patur person më të fuqishëm dhe më me autoritet në PS, pas Edi Ramës, ishte Koço Kokëdhima.

Lëvizje e re e Kokëdhimës brenda selisë rozë, 6 muaj para zgjedhjeve, është parë si një problem që mund të sjellë përplasje me të thella brenda partisë. Për këtë qëllim  disa deputetë dhe anëtarë të Kryesisë i kanë propozuar kreut të PS-së shkarkimin e Kokëdhimës nga të gjitha funksionet zyrtare në selinë rozë.

Problemet mes deputetëve dhe Kokëdhimës nisën që me ardhjen e tij në Kryesinë e PS-së dhe caktimin si Koordinator për Rajonin e Jugut. Deputeti i Vlorës nisi një fushatë për ndryshimin e strukturave në gjithë zonën Vlorë-Sarandë-Gjirokastrës, sipas konceptit të tij. Kjo solli pakënaqësi nga deputetët e tjerë. Pakënaqësi që u shfaqën hapur dhe në kongresin e Partisë në muajin mars të këtij viti. Drejtues të PS-së, si kreu i Asamblesë Gramoz Ruçi, por edhe deputetë të tjerë e cilësuan nismën e Kokëdhimës si një eksperiment të dëmshëm për partinë.

Ndërkohë në muajin maj, pas një padie të Partisë Demokratike, Gjykata Kushtetuese vendosi heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima. Argumenti i Gjykatës ishte se deputeti ka konflikt interesi mes postit të tij politik dhe bizneseve. Pavarësisht qëndrimeve juridike, vetë Kokëdhima e cilësoi këtë vendim si një lëvizje të mirëfilltë politike. Ai akuzoi PD-në se diktoj Gjykatën, por dhe segmente të Partisë Socialiste, të cilat sipas tij lobuan që ta largonin nga skena politike. Pra aludimi i tij ishte se vetë Edi Rama donte ta hiqte qafe nga politika, kur në fakt Kokëdhima kishte supërpushtet pikërisht falë Ramës. Personalisht në publik Kokëdhima nuk ka përmendur asnjë herë me emra se kush janë njerëzit në PS që punuan për heqjen e mandatit.

Nëse reagimi për mandatin e deputetit kishte një sens, më pas Kokëdhima duket se kaloi masën me lëvizjen e fundit brenda partisë. Në kohën kur PS-ja përgatitet për zgjedhje, çelja e një lëvizje që synon të bëhet fraksion kundër linjës zyrtare të partisë është parë si një kërcënim real. Si politikan dhe njeri publik me ndikim, Kokëdhima nuk mund të jetë gjithmonë në një linjë me qëndrimin zyrtar të PS-së dhe është normale të ketë kritika. Por kur nga kritikat kalon në lëvizje politike kjo mund të kthehet në një kosto reale për Partinë Socialiste. Aq me tepër se PS-ja e mori një goditje nga largimi i Ben Blushit. Dhe nuk ka vend më për një tjetër që godet nga brenda për të shkatërruar themelet e një partie. Një Sekretar i PS-së që zhvillon takime me bazën kundër vendimeve të Kryesisë së PS-së është pa sens politik. Ndaj Kryesia, por edhe Kryeministri Edi Rama, duket se kanë zgjedhur ta largojnë nga funksionet partiake. Dhe nuk kanë faj, pasi 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare kur duhen përforcuar radhët që të fitojnë zgjedhjet politike del pikërisht një anëtar i PS-së me post të lartë në kupolën e partisë, me media, me biznese dhe që ka impakt publik dhe krijon trazira të cilat përkthehen ne vota minus për PS.

Kokëdhima ka një të drejtë, të cilën mund ta përdorë pikësëpari në forumet drejtuese, sidomos në Asamblenë e PS-së, ku kërkon që kandidatët për deputetë të përzgjidhen nga anëtarsia e PS-së në rang qarku. Por kur del jashtë forumeve dhe godet ashpër atëhere ka të drejtë forumi partiak të dyshojë se mundet të jetë në lojë krijimi i një partie të re politike.

Comments