Nëna e dy të miturve s’lejohet në varrim nga familjarët

Marsela Toshi, nëna 24 vjeçare e dy fëmijëve të mitur të vrarë nga babai, nuk do të lejohet të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Naum Toshit dhe dy djemve të mitur.
Kanë qenë familjarët e 24- vjeçares ata që kanë kërkuar mos lejimin e saj në varrim.
Madje kanë qenë po familjarët ata që i kanë kërkuar policisë lokale ta mbajnë në mjediset e komisariatit deri në përfundimin e ceremonisë mortore.
Sipas tyre, vetëm kështu do të ndalohej ndonjë incident i mundshëm mes Marselës dhe të afërmve të Naum Toshit, raporton Report TV.

Ndërkaq, gjyshi i 7-vjeçarit, së bashku me xhaxhain, janë lejuar nga familjarët e autorit për të marrë pjesë në varrimin e tij.
Po sot policia ka nisur procedimin penal të Marsela Toshit, nënës së dy fëmijeve të cilët humbën jetën në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Korçës.
“Më datë 05.12.2016, Specialistët e Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases:
M.T, 24 vjeçe, banuese në Korçë.
Procedimi ndaj saj ka filluar pasi, kjo shtetase ka braktisur dy fëmijët e saj të mitur dhe më pas është larguar për në shtetin grek, konkretisht shtetasit J.T dhe V.T të moshave 7 dhe 4 vjeç, trupat e të cilëve u gjetën të pajetë, së bashku me trupin e bashkëshortit të kësaj shtetaseje më datë 05.12.2016 në banesën e tyre, në lagjen nr 4 Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale: “Braktisja e fëmijëve të mitur” parashikuar nga neni 124 i Kodi Penal”, thote policia në një njoftim për shtyp.