Publikimi i Jerusalem Post: Serbia u përpoq ta ndaloj njohjen e Kosovës nga Izraeli

Dita e nesërme do të jetë e një rëndësie të madhe sa i përket diplomacisë kosovare.
Izraeli dhe Kosova do të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike nesër dhe kjo gjë tashmë është konfirmuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Arritja e një marrëdhënie diplomatike në mes Izraelit dhe Kosovës erdhi si pjesë e marrëveshjes së udhëhequr nga Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump më 3 shtator, ku Kosova dhe Serbia nisin lidhje ekonomike në mes dy vendeve.
Në mesin e këtyre marrëveshjeve përfshihej gjithashtu normalizimi i marrëdhënieve në mes Izraelit dhe Kosovës dhe që të dyja vendet të arrinin të hapnin ambasadë në Jerusalem.

E përditshmja izraelite, Jerusalem Post ka shkruar se në muajin shtator, burime të afërta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kishin bërë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jerusalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte shtetin e Kosovës, si të pavarur-megjithëse do të mund të mbante lidhje në nivel më të ulët.
Sipas të njëjtës gazetë, Serbia mund të hapte ambasadën në Jerusalem, siç e përcakton marrëveshja, por që marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen.
Ditë më parë lajmi.net mori një përgjigje zyrtare nga Ministria e Jashtme e Izrealit ku bëhej e ditur se po presin në takim përfaqësuesit shtetëror të Kosovës, në mënyrë që të zyrtarizohet edhe njohja e shtetësisë së Kosovës dhe të diskutohet gjerë e gjatë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem./Lajmi.net/