Shpeshherë në media është raportuar për shkeljet e thella që ia bën punëtorëve të saj rrjeti i marketeve ‘Viva Fresh’ në Kosovë, dhe jo vetëm.
Çdo ditë thuajse, punëtorë të marketeve nëpër komunat e Kosovës ankohen për orar të stërzgjatur, trajtim jo adekuat, shkelje të të drejtave të tyre themelore etj.
Periskopi nga burimet e veta ka mësuar se ‘Viva Fresh’ ka kaluar çdo normë të shkeljeve gjatë këtyre ditëve kur gjendemi edhe në prag të festave të fundvitit.
Mësohet se këta punëtorë po punojnë me orare të stërgjatura deri në 15 orë dhe pa asnjë orë pauzë. Në gjitha pikat e ‘Vivës’ ka hyrë në fuqi edhe vendimi për punë pa asnjë ditë pushim deri pas festave të fundvitit. Përveç kësaj, orët shtesë nuk do u paguhen fare.
‘Para disa ditësh i kanë mbajte deri ne ora 5 te mengjesit ku atyre qe kane qene pasdite u eshte dashur te punojne 15 ore. Aty shkelen te gjitha te drejtat e puntoreve. Gjithashtu, trajtimi nga ana e menaxhereve te Viva Fresh ndaj puntoreve eshte i tmerrshem’, ka thënë ky burim për Periskopin.
Po ashtu, mësohet se tash hapja e marketeve po bëhet prej orës 6, e jo sikurse më herët që rregull ka qenë të hapen në orën 7 të mëngjesit.
Periskopi disa herë kishte raportuar për shkeljet flagrante të të drejtave të punëtorëve nga marketet e mëdha, në prag të festave të fundvitit. Asnjëherë nuk e rrisin numrin e punëtorëve, por i keqtrajtojnë ata që i kanë.Ndërsa, ankesa shpeshherë kanë parashtruar edhe qytetarët rreth produkteve nëpër markete. Ndonjëherë pa afat, e raste të tilla edhe kur kanë mashtruar me çmime./Periskopi/