Pushtetit i çelen dyert në Uashington, Konjufca diskuton me Escobarin për Asociacionin
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me emisarin amerikan, Gabriel Escobar.
Konjufca tha se në takim i ka shprehur Escobarit qëndrimin e Kosovës se nuk mund të formohet asociacion që cenon Kushtetutën e Kosovës.
“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Gjithashtu, Konjufca tha se diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”./Express/
Konjufca ishte i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ëashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli.