![]()
– Refugjatët në kampin Inofita në qytetin grek Viotia një vit pas mbylljes së kufirit drejt vendeve të tjera evropiane për çdo ditë luftojnë për mbijetesë në kushte tejet të vështira, shkruan Anadolu Agency (AA).Kampi i refugjatëve gjendet 60 kilometra nga Athina, ndërsa refugjatët nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Irani, ankohen për kushtet e jetesës që përballen çdo ditë.
Kapaciteti i kampit është rreth 600 persona, ndërsa dy të tretat përbëhen nga fëmijët. Refugjatët jetojnë në kushte johigjienike.
Magazinat e dikurshme të pashfrytëzuara janë shndërruar në kamp. Katet e poshtme parashihen për familje me fëmijë, ndërsa në ato sipër për të pamartuarit.
Halid Vahab (35) nga Afganistani në kamp ka arritur para shtatë muajve. Siç tha, ka dy fëmijë të cilët nuk i lejon të dalin nga dhoma ku jetojnë, për shkak të kushteve johigjienike.
Vehab për AA tregoi se kanë tentuar në mënyra të ndryshme ilegale të braktisin kampin dhe të shkojnë në ndonjë vend tjetër evropian. Ai theksoi se në kampin ku qëndrojnë iu rrezikohet edhe shëndeti meqë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. “Gjithçka është johigjienike, banjoja, kuzhina… Nuk mund të përballohet. Kam ndjenjën se do t’më plas zemra. Vërtetë jemi në situatë të vështirë”, u shpreh Vehab.
Edhe afgani 29-vjeçar Samim Vafi porositi se në kamp kushtet për jetë janë të tmerrshme, ku nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, por edhe ujë të ngrohtë.
“Është ftohtë. Në banjo nuk kemi ujë të ngrohtë”, tregoi Vafi.
Shumë organizata ndërkombëtare mes të cilave edhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) situatën në kamp e quajtën të tmerrshme dhe i bënë thirrje Qeverisë greke që të ndërmarrë masa mbi këtë çështje.

