Quni i del në krah Zemajt: Jam shumë me fat që kam bashkëpunëtor si Armend Zemaj
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i ka dalë në krah kolegut të tij Armend Zemaj, i cili dje u përfshi në një konflikt fizik me një qytetar.
Ai e ka lavdëruar deputetin Zemaj, duke thënë se ka qasje paqësore dhe gjithmonë bashkëpunuese.
Në profilin e tij në “Facebook”, Quni ka shkruar se Zemaj nuk shantazhet dhe nuk frikësohet.
“Jam shumë me fat që kam bashkëpunëtor si Armend Zemaj! Në punën tonë të përditshme, Armendi shquhet për qasjen e tij paqësore dhe gjithmonë bashkëpunuese. Është vërtet fisnik në sjellje, një person i urtë që di të dëgjojë dhe të ofrojë zgjidhje me maturi. Kontributi i tij, përveç profesionalizmit, sjell një frymë pozitive dhe qetësie në ekip. Me urtësi dhe paqe ai menaxhon situatat më sfiduese. Karakteri i tij fisnik dhe fryma bashkëpunuese e bëjnë atë një anëtar të çmuar të ekipit”, ka shkruar ai, duke i vazhduar lëvdatat për kolegun e tij.
“Përkushtimi dhe sjellja e tij pozitive ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin e përbashkët. Në një botë ku shumë lëkunden nga frika, Armendi qëndron si një mur, i pathyeshëm para kërcënimeve. Ai na kujton se guximi i vërtetë nuk është mungesa e frikës, por aftësia për të vepruar me dinjitet pavarësisht saj. Nuk ka shantazh, as frikësim që e bën Armendin të kthejë kokën pas. Për të, parimet, drejtësia dhe e vërteta janë më të shtrenjta se siguria personale. Armend, Ti na tregon se të kesh kurajo do të thotë të jetosh sipas bindjeve tua, pa lejuar kërcënimet të shkruajnë fatin tënd”, ka shkruar ai.

