Qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmimet gjithnjë e në rritje të produkteve bazë
Për standardin tonë, çmimet janë shumë të larta, pensionet shkojnë vetëm për ushqim, shteti duhet të qëndrojë në anën e qytetarëve për të përmirësuar situatën, thonë disa nga qytetarët e anketuar.
“Për këto paga, për këtë standard shumë të lartë, ne jemi madje në të njëjtin nivel me Zvicrën dhe vendet evropiane ku pagat janë shumë më të larta se këtu. Këto nuk janë masa, kështu që, shteti duhet të mbrojë qytetarët, në mënyrë që marketet të mos mund të vendosin çmimet e tyre dhe të mos ankohen se kanë humbje dhe se nuk kanë punonjës”, u shpreh një qytetar.
“Jo more çfarë zbritje, gjithnjë e më lartë shkojnë, çfarë të kursej? Nuk mund, ska gjasa të kursej”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Një vend duhet të thotë- kaq dhe lamtumirë, nuk bëhet kjo me masa. Çfarë masa, çfarë?”, tha një tjetër qytetar.
“Të larta, shumë të larta. Nuk kam të ardhura të ulëta për të thënë, por prapë nuk është e mjaftueshme. Pensionet dhe pagat shkojnë kryesisht për ushqim, shumë pak lihet anash për nevoja të tjera”, theksoi një qytetar.
Kryeministri deklaroi se po e ndjekin situatën, ndërsa porositi zinxhirët e supermarketeve të mos manipulojnë, sepse mund të vendosen masa vjetore, jo mujore.
“Ne po e ndjekim procesin dhe porosia ime për supermarketet është të mos përdorin hile sepse kufizimet mund të jenë vjetore, jo javore ose mujore. E monitorojmë me shumë kujdes sjelljen e disa prej supermarketeve përmes Inspektoratit të Tregut dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, deklaroi se çmimet po stabilizohen. Ai thotë se tregu po monitorohet dhe në fillim të këtij muaji do të vendosin nëse do të marrin masa të reja për të ndaluar rritjen e çmimeve. Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave, një familjes me katër anëtarë do t’i duhen mbi 62 mijë denarë për të kaluar muajin, ndërsa vetëm për ushqim u duhen pothuajse të gjitha të ardhurat minimale. /Alsat.mk

