Raketat ruse Oreshnik, Zelensky kërkon reagim nga ndërkombëtarët: U dëmtua Ambasada e Katarit

78

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmit masiv që Rusia kreu gjatë natës mbi territorin ukrainas. Sipas raportimeve ndërkombëtare, sulmi përfshinte 242 dronë dhe 13 raketa balistike, duke goditur ndërtesa banimi dhe objektet energjetike.

Zelensky tha se Moska përdori gjithashtu një raketë balistike me rreze të mesme veprimi të tipit Oreshnik, si dhe 22 raketa kruiz.

“Sulmi ndodhi pikërisht gjatë një vale të ftohti të konsiderueshme, duke synuar jetën normale të qytetarëve të zakonshëm”, deklaroi ai.

Në sulm u dëmtua edhe një ndërtesë e ambasadës së Katarit, një shtet që sipas Zelenskyt bën përpjekje për të ndërmjetësuar me Rusinë për lirimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve të mbajtur në burgjet ruse.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për një “reagim të qartë” nga bota, duke theksuar rolin e Shteteve të Bashkuara, sinjaleve të të cilave Rusia u kushton vëmendje të veçantë.

“Rusia duhet të përqendrohet në diplomaci dhe të ndjejë pasojat sa herë që vazhdon shkatërrimin dhe vrasjet”, shtoi ai.

Zelensky nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke e cilësuar si një prioritet të përhershëm për partnerët ndërkombëtarë.

Comments