Rama, Kurti e liderët e Ballkanit Perëndimor priten edhe nga mbreti Charles në Londër
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pritur në një takim zyrtar nga mbreti Charles III në Britaninë e Madhe, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.
Pritja është zhvilluar në pallatin St James, ku mbreti Charles ka takuar udhëheqësit rajonalë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Në fotot e publikuara nga mediat ndërkombëtare, Rama shihet teksa i shtrëngon dorën mbretit britanik, ndërsa Kurti dallohet në bashkëbisedim me liderë të tjerë të pranishëm në event.
Samiti i Procesit të Berlinit këtë vit ka në fokus çështje të rëndësishme për rajonin, si bashkëpunimi për migracionin, siguria dhe nxitja e rritjes ekonomike.