Rama ‘ndihmon’ Zhegrovën për kalimin te Juventus

168
fresco

Edon Zhegrova te Juventus? E bëshme më shumë se kurrë dhe kjo, falë një tifozi të epërm të Juventusit…ndoshta!

Një foto e publikuar nga lojtari i përfaqësueses së Kosovës në profilin e tij zyrtar në Instagram shfaq atë se duket të jetë ndihma e kryeministrit shqiptar, për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare lojtarit kosovar, në mënyrë që kalimi te Juventus të mund të kryhet, pas një ngërçi të hasur në javët e fundit në tratativat me Lille, ku Zhegrova luan aktualisht.

Fotografia e postuar nga Zhegrova

Por, pse është me rëndësi që Zhegrova ka marrë pasaportën shqiptare?

Falë rregullores së re në Itali, që nga viti i kaluar, lojtarët me pasaportë shqiptare nuk konsiderohen më si lojtarë ekstrakomunitarë, gjë që i jep avantazh të madh klubit bardhezi për të finalizuar marrëveshjen.

Rruga është e hapur, por kjo nuk nënkupton kalim të sigurt.

Kjo, edhe pasi presidenti i Lille, Olivier Letang, ka komentuar për herë të parë publikisht më 22 gusht situatën e Edon Zhegrovës dhe interesimin e Juventusit, duke sqaruar se ndonëse ka pasur bisedime disa javë më parë, gjasat për një transferim janë gjithnjë e më të vogla.

Në konferencën për shtyp të mbajtur, Letang tha: “Ai është stërvitur me ne, është këtu dhe në dispozicion të trajnerit. Kjo sepse ka shumë mundësi që ai të qëndrojë me ne këtë sezon”.

Presidenti i klubit francez gjithashtu pranoi kontaktet me drejtuesit e Juventusit, duke zbuluar: “Njoh shumë mirë drejtorin e Juventusit, Damien Comolli, kemi folur disa herë që kur ai mori drejtimin te Juventus”.

Sipas tij, bisedimet nuk janë të reja dhe nuk janë më aktive si dikur: “Është e vërtetë që kemi pasur disa bisedime disa javë më parë. Dyert ndoshta ishin pak më të hapura atëherë sesa janë tani”.

“Për më tepër, deri tani nuk kemi marrë asnjë ofertë. Mediat italiane shpesh e ekzagjerojnë situatën. Nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë diskutim për largimin e Edonit drejt Italisë”, përfundoi i pari i klubit të Lille.

Zhegrova ka kontratë me Lille deri në qershor të vitit 2026, ndërsa kërkesa e klubit për kartonin e tij mendohet të jetë rreth 25 milionë euro, një shumë që për momentin konsiderohet e lartë nga klubet e interesuara.

Comments