Raportet Trump-Kosovë: Çfarë ishin dhe çfarë mund të pritet?
Nga Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, deri te mospajtimet politike dhe akuzat – janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane me në krye Donald Trumpin, 2016-2020.
Tani që Trump u zgjodh për mandatin e dytë, njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën.
Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është optimist se Trump sjell një “mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin”.
Ndërsa për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga zgjedhja e Trumpit.
Normalizim ekonomik dhe konflikte politike
Gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit si president i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”.
I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, luajti një rol kyç në këtë përpjekje, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje të tillë përbënte një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në katër vjetët sa president i SHBA-së ishte Trumpi, në Kosovë u ndërruan tre kryeministra: Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Një moment i rëndësishëm i ndërmjetësimit të administratës Trump, në marrëdhëniet Kosovë- Serbi ndodhi më 4 shtator 2020, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e nënshkruan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja përfshinte projekte konkrete infrastrukturore si autostrada e Paqes Prishtinë-Merdar dhe një linjë hekurudhore në të njëjtën rrugë, për të lehtësuar lëvizjen dhe tregtinë midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse projekti i autostradës vazhdoi në të dyja anët, ai mbetet ende i papërfunduar tërësisht.
Një element tjetër kyç ishte studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i cili shtrihet në kufirin Kosovë-Serbi.
SHBA-ja e përfundoi këtë studim në qershor të vitit 2021 dhe propozoi një model të përbashkët menaxhimi.
Grenell, madje, sugjeroi që liqeni të riemërohej “Liqeni Trump”, një propozim i cili mori mbështetje nga Hoti dhe zyrtarët serbë, edhe pse pati reagime të përziera nga publiku.
Gjithashtu, Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje në janar të vitit 2020 ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe kompanisë gjermane Lufthansa për të krijuar një linjë ajrore direkte Prishtinë-Beograd. Trump e përshkroi këtë si “një tjetër fitore,” por linja ende nuk është realizuar në praktikë.
Ndërmjetësimi i Trumpit i solli Kosovës edhe njohjen nga shteti i Izraelit.
Ndryshe nga kjo periudhë, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me Albin Kurtin ishin të tensionuara.
Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.
Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit.
Një nga pikat e tensioneve ishte edhe një tarifë doganore prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia e vendosur nga Qeveria Haradinaj më 2018.
Sipas Kurtit, Grenell kërkoi heqjen e tarifës pa masa reciproke, gjë që Kurti e kundërshtoi fuqimisht.
Kurti gjithashtu akuzoi Grenellin për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në krizën politike në Kosovë, duke thënë se ai kishte propozuar një marrëveshje me Serbinë për këmbim territorial dhe se një marrëveshje e tillë “nuk mund të ishte një marrëveshje paqeje”.
Grenell, nga ana e tij, e përshkroi Kurtin si një “problem” dhe vazhdoi të argumentonte se qasja e tij ishte e nevojshme për t’i avancuar interesat amerikane në Ballkan.
Edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, kritikat e Grenellit ndaj Kurtit nuk kanë reshtur.
Në verën e vitit 2023, Grenell komentoi mbi veprimet e Kurtit në veriun e Kosovës, sidomos në komunat me shumicë serbe, duke i cilësuar si veprime që rrezikonin stabilitetin e rajonit.
Administrata aktuale e SHBA-së nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, gjithashtu, ka kritikuar disa nga veprimet e njëanshme të Kurtit veçanërisht në veri të vendit, duke i cilësuar si të dëmshme për marrëdhëniet me Uashingtonin.
Në gusht, Grenell kritikoi ashpër Kurtin në rrjetet sociale, duke theksuar se “Kurti është problem”.
Pavarësisht kësaj, kryeministri aktual, Albin Kurti e uroi Trumpin për fitoren duke thënë se mezi pret “të punojmë së bashku për përparim dhe paqe“.
Edhe liderë të partive opozitare në Kosovë e kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Mandati i dytë, “pozitiv ose shumë negativ”
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, profesori Afrim Hoti nga Universiteti i Prishtinës e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin.
Hoti beson se administrata e Trumpit mund të sjellë energji të reja në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe rajonin.
“Unë dua të besoj se kushdo që i udhëheq institucionet e Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm se ka pak rëndësi fakti se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta”.
Hoti, gjithashtu, shton se Kosova duhet të forcojë përpjekjet e lobimit me SHBA-në për të ruajtur këtë marrëdhënie të rëndësishme, pasi sipas tij ky lobim është rritur shumë në Serbi.
“Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshëm për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së”, thotë Hoti.
Në anën tjetër, Toby Vogel parashikon se Ballkani nuk do të jetë shumë lart në agjendën e Trumpit, por beson se çfarëdo ndikimi që administrata e tij do të ketë në rajon, “nuk do të jetë pozitiv”.
Më konkretisht, ai përmend mundësinë e ringjalljes së skemës së “këmbimit të territoreve,” ku Serbia mund të aneksojë veriun e Kosovës dhe që, sipas tij, nuk mund të përfundojë paqësisht.
“Evropianët nuk janë të gatshëm ta kundërshtojnë këtë – në fakt, herën e fundit kur u diskutua seriozisht kjo ide ishte nën iniciativën e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe më pas u mor nga administrata e Trump”, thotë Vogel.
Përveç kësaj, ai paralajmëroi se kryeministri kosovar, Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mund të përpiqen të krijojnë “fakte në terren,” veçanërisht në veri të Kosovës dhe se “Kurti mund të ndihet i detyruar të veprojë para inaugurimit të Trumpit dhe zgjedhjeve në Kosovë në shkurt”.
Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve në Kosovë meqë në atë zonë kundërshtohet pavarësia e Kosovës. Një sulm i funditi armatosur në shtator të vitit 2023, la të vrarë një polic të Kosovës.
Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte ndër të parët në rajon që ia uroi fitoren Trumpit, dhe rezultatit zgjedhor iu gëzuan edhe qytetarë serbë në veri të Kosovës. /RadioEvropaeLire