Raporti britanik: Hendeku ushtarak mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon stabilitetin

121
fresco

Raporti “Rikthimi i udhëheqjes britanike në Ballkanin Perëndimor”, i përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit dhe njëri prej autorëve të të cilit është edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se ekziston një hendek i madh ushtarak dhe financiar mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky raport ka ngritur paqartësi mbi gatishmërinë e misionit të NATO-s, KFOR në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Mitrovicës Veriore, i mbështetur nga Serbia dhe Rusia

“Ekziston një hendek i madh ushtarak dhe financiar midis Kosovës dhe Serbisë në favor të së fundit. Ndërkohë që trupat e KFOR-it nën udhëheqjen e NATO-s ofrojnë një masë shtesë mbrojtëse, ekziston një paqartësi strategjike se sa efektivisht do të përgjigjej misioni në rast të një pushtimi territorial të Mitrovicës Veriore nga Serbia, e mbështetur nga Rusia”, thuhet në raport.

Raporti thekson se Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe për këtë arsye nuk mbulohet nga Neni V i Traktatit. Për më tepër, thotë se “KFOR-i nuk pengon aktivitetet e ndikimit nën prag, si ndërhyrjet elektorale nga Serbia përmes përkrahjes aktive të Listës Serbe në Kosovë”.

Po ashtu, përmenden blerjet e armëve që ka bërë Qeveria e Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, i shpallur më pas hero nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Prishtinës ka ndërmarrë një blerje masive të armëve si përgjigje ndaj kërcënimit të identifikuar, duke blerë raketa Javelin dhe lansues amerikanë me vlerë 72 milionë dollarë, dronë turq Bayraktar dhe pajisje të tjera ushtarake të rëndësishme. Eksportet e tilla nga SHBA nuk do të ishin lejuar po të mos ishte perceptimi i Pentagonit për kërcënimin potencial ndaj Kosovës”.

Gjithashtu, theksohet edhe marrëveshja ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Në gusht 2025, Kosova gjithashtu nënshkroi një marrëveshje për blerje të përbashkët me Shqipërinë dhe Kroacinë, për të siguruar oferta më të mira nga tregtarët perëndimorë të armëve dhe municionit. Në shtator, Kosova njoftoi se kishte alokuar 1.1 miliard dollarë për zhvillimin e industrisë së brendshme të dronëve dhe për modernizimin e ushtrisë”.

Raporti “Restoring British Leadership in the Western Balkans” është një dokument politik, i cili ofron rekomandime për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai është përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit dhe lidhet me samitin e zhvilluar në Londër.

Comments