Raportohet se Irani e ka refuzuar propozimin 15-pikësh të ShBA-së për përfundimin e luftës

137

Një televizion shtetëror iranian, “Press TV”, duke cituar një “zyrtar të lartë politik të sigurisë”, raportoi se Irani e ka refuzuar propozimin e Shteteve të Bashkuara që e kishte për qëllim përfundimin e luftës.

Ky televizion nuk e identifikoi zyrtarin që e citoi e nuk ia përmendi as rangun apo pozitën, por raportoi se zyrtari tha: “Irani do ta përfundojë luftën, kur të vendosë vetë për ta bërë këtë dhe kur të përmbushen kushtet e tij.”

Zyrtarët iranianë në mënyrë të përsëritur kanë thënë se duan përfundim të plotë të luftës, jo vetëm armëpushim, transmeton televizioni BBC.

Sipas këtij televizioni, zyrtari iranian renditi pesë kushte:

-Ndërprerja e plotë e “agresionit dhe vrasjeve” nga armiku;

-Formimi i mekanizmave konkretë për të garantuar se lufta kundër Iranit nuk do të rifillojë;

-Pagesë e garantuar dhe qartazi e përcaktuar e dëmeve të luftës;

-Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës që janë të përfshira në tërë rajonin;

-Njohja dhe garancitë ndërkombëtare në lidhje me të drejtën sovrane të Iranit për ta ushtruar autoritetin mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Press TV” thotë se Uashingtoni i ka zhvilluar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, por se Teherani e sheh propozimin amerikan si “të tepruar”.

Comments