Rasti i Almirit, rikonstruim i rastit – dëshmoi babai i Almirit

267

Me rrëfimin e Sedat Aliut, babait të vogëlushit të ndjerë, Almirit…

Me rrëfimin e Sedat Aliut, babait të vogëlushit të ndjerë, Almirit, në Kumanovë ka vazhduar seanca gjyqësore kundër Boban Iliqit. Sedati edhe një herë e përshkroi rastin.

Ai para trupit gjykues rrëfeu se e gjitha ka filluar pasi që në hollin e Shtëpisë së shëndetit ia kishte lëshuar radhën një plake të moshuar shqiptare, gjë që e ka acaruar Boban Iliqin, i cili ishte pas tij në radhë. Iliq me këtë rast, siç u shpreh Sedati, ka manifestuar edhe urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve.

Më pas, Sedati përshkroi edhe momentin tragjik kur familja e tij treanëtarëshe ishte shtypur me makinë për muri, ku si pasojë pas disa ditësh pati ndërruar jetë Almiri 4 vjeçar. Megjithatë, ai apelon për ruajtjen e qetësisë dhe për gjykim të drejtë me qëllim që i akuzuari, Boban Iliq, të marrë dënimin e merituar.

“Unë e tregova të vërtetën prapë sot në gjykatë. Dua të them se mos të ndodhin raste të këtilla ndëretnike mes shqiptarëve e maqedonasve, sepse dihet çfarë ka ndodhur. Ishte hakmarrje ndaj shqiptarëve, sepse unë nuk e kam njohur këtë person, kjo ishte hakmarrje. I apeloj gjykatës t’ia japë dënimin e merituar”,- tha babai i Almirit, Sedat Aliu.

“Ju ishit dëshmitarë se në një pjesë të dëshmisë babai rrëfeu për sharjet dhe fyerjet që i drejtoi i akuzuari, Boban Iliq, që sollën edhe deri te vdekja e Almirit të vogël”,- theksoi avokati, Asmir Alispahiq.

“Për shkak të sensibilizimit që ka opinioni me rastin dhe interesimit të madh të mediumeve, që edhe ju vet jeni prezentë, dhe mënyrës se si ka ndodhur rasti nga këndi i personit që e dha sot deklaratën, na lind një obligim që të gjithë këtë rast ta shkarkojmë nga paragjykimet politike dhe të tentojmë që rastin penalo-juridik ta trajtojmë brenda kornizave të Ligjit të procedurës penale duke tentuar të vërtetojmë gjendjen faktike ashtu siç ka ndodhur rasti”,- theksoi avokati, Ibrahim Bajrami.

Seanca e radhës është caktuar për më 6 tetor në orën 11:00.

Comments