Reportazh i RAI për kanabisin: Kruja, zemra e drogës në Shqipëri (VIDEO)



Një grup gazetarësh të rrjetit italian të RAI -t, kanë udhëtuar drejt Krujës për të zbuluar burimin e tonelatave të marijuanës, që sipas tyre, mbërrin nga Shqipëria në Pulja përmes Adriatikut. Në reportazhin e titulluar “Pulja, bari nga fqinjët” thuhet se dikur, zemra e prodhimit të kanabisit ishte Lazarati, ndërsa tani plantacionet e drogës shtrihen vetëm 30 kilometra nga kryeqyteti shqiptar.
Për gazetarët nuk është e lehtë të depërtojnë në zonat ku ndodhen parcelat me kanabis. Rrugës përballen me një person, që fillimisht shtiret si bari dhe mohon të ketë sipërfaqe të mbjella me kanabis.
Bariu: “Nuk ka marijuanë këtu, nuk ka… e sigurtë 100% që nuk ka”.
Pasi ka marrë leje nga eprorët, personi pranon t’i shoqërojë gazetarët, duke u kërkuar të fikin kamerat. U thotë se janë nën vëzhgimin e snajprave, që janë të gatshëm të qëllojnë persona të dyshimtë.
Bariu: “Ju kanë pare atje dhe më thanë shikoji se janë me kamera.
“Kanë snajpera, të gjuajnë… ka snajpera”.
Udhërrëfyesi ka leje për t’u treguar vetëm parcelën e tij. Të tjerat, siç thotë ai, janë asgjesuar nga forcat speciale të ardhura nga Tirana dhe jo nga policët e Krujës, me të cilët ai ka njohje.
Parcela ka rreth 152 bimë kanabis dhe është e pajisur me një sistem ujitjeje me fuçi.
“Kjo bën 100 euro, 60 euro për mua dhe 40 euro për policinë”.
Pas këtij udhëtimi, grupi i RAI -t ka intervistuar Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e pyetur për implikimin e policisë. Por sipas Ministrit, nëse zbulimi i një parcele vërteton implikimin e policisë, e njëjta gjë duhej thënë edhe në rastin e sekuestrimit të plantacioneve në zonën e Foxhias, në fund të Shtatorit.
“Si mundet që policia nuk e pa, kush i mbronte ata që e bënin. Unë do të bëja pyetjen, nëse ju në Itali gjeni 180 mijë bimë, çfarë do të thotë që policët atje janë të korruptuar?
Gazetarët e mbyllin reportazhin duke theksuar se Ministri Tahiri i ftoi të shohin nga Italia, por që sipas tyre, bën pjesë në shtëpinë europiane, në të cilën Shqipëria ka qëllim të hyjë.