Republika Srpska miraton mbajtjen e një referendumi në kundërshtim me Kushtetutën

110
fresco

Kuvendi i Republikës Srpska, të premten, mbrëma miratoi një vendim antikushtetues për mbajtjen e një referendumi, në të cilin qytetarët e këtij entiteti do të duhet të shprehen mbi aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Millorad Dodikut dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Bosnje e Hercegovinës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.

Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti.

Vendimi për referendumin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.

Për vendimin votuan 50 nga 65 deputetët e pranishëm, ndërsa pjesa tjetër prej 15 deputetësh, që morën pjesë në votim, nuk votuan as për, as kundër.

Vendimin për referendumin e shoqëroi edhe miratimi i ndryshimeve, me procedurë të përshpejtuar, në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’i mundësojnë Kuvendit të RS-së të formojë komisione të veçanta për referendumet.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinë në fillim të gushtit shpalli një vendim të formës së prerë me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg, si dhe ndaj tij u shqiptua një ndalim prej gjashtëvjetësh i ushtrimit të funksioneve publike. Dënimi me burg u shlye me një pagesë monetare, ndërsa KQZ e Bosnjës, duke vepruar sipas aktgjykimit, ia hoqi Dodikut mandatin e presidentit të RS-së.

Që nga 18 gushti, Dodik zyrtarisht nuk është më president i RS-së, ndërsa KQZ e Bosnje është e detyruar që brenda 90 ditësh të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.

Andaj përveç vendimit për referendumin, deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNSD miratuan edhe një sërë konkluzionesh me të cilat Kuvendi i RS-së “hedh poshtë” aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjës dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilat i përfundoi mandati i Dodikut në funksionin e presidentit të Republikës Srpska.

Në konkluzione thuhet se Kuvendi Popullor kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, se “Dodik ftohet të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit të RS-së”, si dhe u kërkohet të gjitha institucioneve të entitetit të mos ndërmarrin aktivitete lidhur me shpalljen e zgjedhjeve.

Njëri nga përfundimet paralajmëron se “bashkëpunimi eventual me KQZ-në e Bosnje në lidhje me këtë çështje do të përbënte kryerje të veprës penale të mosrespektimit të vendimeve të institucioneve ose organeve të RS-së, të parashikuar në Kodin Penal të RS”.

Comments