Rexhepi: Kazermën e Tetovës do ta shndërrojmë në parqe dhe qendër institucionale moderne

43
fresco

Tetova është gati të përjetojë një prej transformimeve më të mëdha urbane në historinë e saj. Kandidati për Komunën e Tetovës nga AKI, Bajram Rexhepi ka prezantuar një projekt ambicioz që synon rikthimin e ish-kazermës në një hapësirë publike multifunksionale – një qendër institucionale dhe një park qytetar modern.

Sipas planit të detajuar, mbi 190.000 metra katrorë hapësirë publike do të kthehen në shërbim të qytetarëve. Në këtë hapësirë do të ndërtohen dhe vendosen institucionet kyçe të qytetit si komuna, gjykata, policia, dhe do të krijohen gjithashtu zona të mëdha rekreative, përfshirë parqe për sport, pushim dhe aktivitete familjare, njofton TS.

“Ky projekt është një hap drejt një qyteti të qasshëm, funksional dhe me frymë të gjelbër,” tha kandidati gjatë prezantimit. Sipas tij, krijimi i një qendre të tillë publike do të sjellë lehtësira për qytetarët në raport me institucionet, por edhe do të shtojë hapësirat për jetesë cilësore dhe rekreacion.

Transformimi i kazermës konsiderohet si një simbol i kthesës urbane që Tetova ka nevojë urgjente ta bëjë pas dekadash neglizhence dhe mungesë planifikimi strategjik./TS

Comments