Rey Manaj nderohet me mural në Mitrovicë pas fitores historike ndaj Serbisë

68
fresco

Rey Manaj është kthyer në simbolin e krenarisë kombëtare pas golit historik që i dha Shqipërisë fitoren 1–0 ndaj Serbisë në Leskovc, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Sulmuesi nga Lushnja u bë heroi i mbrëmjes me një goditje të jashtëzakonshme që vulosi një nga fitoret më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.

Pas këtij suksesi, emocionet dhe entuziazmi i tifozëve kuqezi kanë qenë të jashtëzakonshme. Në Mitrovicë, në shenjë falënderimi dhe respekti, është realizuar një mural e dedikuar Rey Manajt, e cila tashmë po bëhet simbol i fitores dhe bashkimit kombëtar.

Në muralin e krijuar, Manaj paraqitet duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare pas golit në stadiumin e Leskovcit, moment që elektrizoi gjithë kombin shqiptar.

Sipër murales janë vendosur flamuri shqiptar dhe ai me mbishkrimin “Autochthonous”, i cili kujton simbolin që u lëshua me dron në Beograd në vitin 2014 nga Ballist Morina – një akt që mbetet pjesë e kujtesës historike në marrëdhëniet sportive mes dy vendeve.

Kjo murale është pritur me entuziazëm nga qytetarët e Mitrovicës dhe tifozët në rrjetet sociale, të cilët e kanë cilësuar Manajn si “heroin e Leskovcit” dhe “njeriun që ngriti kokën e gjithë kombit shqiptar”.

Fitorja ndaj Serbisë jo vetëm që i dha Shqipërisë tre pikë të arta në rrugën drejt Kupës së Botës 2026, por gjithashtu ringjalli ndjenjën e unitetit dhe krenarisë që futbolli arrin të sjellë në çdo cep të botës ku valon flamuri kuqezi.

Comments