Riciklimi i horrave!

141

Medai Shaholli

Si duket një pjesë e shqiptarëve të Iliridës ende besojnë fuqishëm si në zgjedhjet e kaluara parlamentare edhe në këto zgjedhje lokale, për një ndryshim dhe një rrotacion të pushtetit lokal përmes të besuarve dhe të përzgjedhurve të tyre.

Ata (opozita)e kanë provuar pushtetin lokal pjesërisht dhe nuk kanë treguar ndonjë ndryshim të qeverisjes lokale nga pushtetarët e pozitës, sepse ata nuk janë tjetër veç se një riciklim horrash nëpër kolltuqet e kryekomunarëve.

Edhe me këto zgjedhje parashihet se nuk do të kemi ndryshime të mëdha veç pamjes kozmetike të 4/5 komunave që do vazhdojnë të qeverisen edhe më tej nga opozita, por kjo nuk do të përbënte lajmin e ditës, ca më keq akoma, pozita do të ruante shumicën, sepse me ta do të rikonfirmohet riciklimi i horrave në krye të komunave me shumicë shqiptare, në përjashtim të ndonjë ‘presedatellke’ që mund të ‘grabiste’ sërish një komunë me shumicë shqiptare nga një subjekt joshqiptar.

Pse ky mosbesim në opozitën dhe pozitën në këto zgjedhje për kryekomunarë?
Arsyet janë të thjeshta. Si pozita edhe opozita të paktën e kanë provuar pushtetin lokal dhe kanë dëshmuar servilizëm dhe nënshtrim para despotëve të Shkupit.

Kemi kryetarë që për katër vjet kanë fjetur ndaj kërkesave të qytetarëve dhe kanë përfunduar mandatin me ndonjë rrugë të asfaltuar por që edhe ajo i ka dështuar pasi janë tradhtuar nga kushtet atmosferike për nga cilësia e veprave që kanë ndërtuar.

Ata nuk i kanë kërkuar qeverisë në emër të qytetarëve dhe të shumicës në komunat ku qeverisin atë që është parësore për qytetarët, shërbime shëndetëdore dhe spitale brenda parametrave dhe standardeve bashkëkohore siç janë renonovimi apo rindërtimi i spitaleve publike.

Moebel THEMA

Investimet ekonomike në zonat më të pazhvilluara siç është pjesa perëndimore e vendit ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullësisë nuk janë bërë fare, për vet faktin se kjo zonë do faktorizonte shqiptarët si partnerë në biznes dhe në ekonominë e vendit për të e cilën pushteti ka një tjetër agjendë dhe platformë zhvillimore.

Ata së bashku, (si nga pozita edhe nga opozita) në pushtetin qendror dhe lokal nuk i kanë kërkuar kurrë shefave të tyre t’i kërkojnë qeverisë dhe kryeministri kushtet e vazhdimit të koalicionit ose dalje nga koalicioni nëse qeveria nuk pranon vullnetin politik të shumicës së qytetarëve në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën si bazë e respektimit të demokracisë.

Ata nuk kanë guxuar t’i bëjnë këto kërkesa si e drejtë e qytetarëve shqiptarë për të patur kushte normale jete dhe punësim për të gjithë njëllojë siç po gëzojnë fqinjët tanë në lindje të vendit apo tek e fundit për ta patur një dinjitet minimal dhe mirënjohje për kulturën dhe identitetin kombëtar duke i nderuar personalitetet tona nga kultura dhe historia me emërtimet e rrugëve dhe shesheve të qyteteve tona që nga Kumanova deri në Strugë.

Ata edhe pse janë zgjedhur nga qytetarët shqiptarë nuk përfaqësojnë shqiptarët pasi nuk guxojnë t’i fshijnë ato merimangat e një kohe kohe të trishtë që kanë mbushur rrugët dhe sheshet me emërtime të udhëheqësve të komunizmit jugosllav si Marshall Tito, Moshe Pijade, Ivo Llolla Ribar etj., emra që nuk kanë asnjë kontribut në historinë dhe në kulturën shqiptare.
Ato emra provokojnë dhe fyejnë dinjitetin kombëtar pasi që nuk kanë miratimin dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Këta llojë kryekomunarë shqiptarë që kemi të zgjedhur gjithandej janë pasaporta dhe pasqyra e zyrtarit shqiptar që para kryeministrit sillen si vasali para despotit.

Kemi kryetarë komunash që psh., që nuk guxojnë ta vendosin përmendoren e Xhem Hasës një lufëtari të rrethit në qendër të Gostivarit, sepse ai si ballist do i prish punë me kryeministrin, përkundër faktit se bëjnë pjesë në bllokun e së djathtës dhe hiqen si nacionalistë apo ca të tjerë si kozmopolitanë që thonë se kombi është ide e demoduar dhe se atdheu është aty ku jetohet më mirë.

Apo në një rast tjetër kur kryetari i komunës para se të merrte mandatin për efekt elektoral thoshte se do ta zhbëj dhe do ta heq nga qendra e qytetit (përmendoren e revolucionit) atë gërmadh të komunizmit, por pasi u zgjodh kryetar komune ai nuk e rrëzoi atë gërmadhë të komunizmit, veç se e rinovoi dhe e bëri edhe më atraktive si qendër frekuentuese për qytetarët!

Ja pra çfarë mund të presin qytetarët shqiptarë nga riciklimi i horrave në këto zgjedhje lokale dhe se shpresat me këta lloj dudumë kandidatë janë të venitura duke u nisur nga e kaluara dhe qëndrimi i tyre për të qeverisur komunat sipas tekave dhe makutërisë për pushtet dhe para!

Comments