Rihapet Aeroporti i Munihut pas detektimit të dronëve

Në Aeroportin e Munihut në Gjermani kanë rinisur fluturimet më 3 tetor, pasi u detektuan disa dronë që detyruan autoritetet të mbyllnin aeroportin gjatë natës.
Ky është rasti i fundit në një seri mbylljesh të aeroporteve së voni në mbarë Evropën për shkak të fluturimeve të dronëve të paidentifikuar.
Aeroportet në Danimarkë, Norvegji dhe Poloni së voni kanë pezulluar fluturime për shkak të dronëve të paidentifikuar, ndërkaq Rumania dhe Estonia kanë fajësuar Rusinë për këto incidente. Moska ka hedhur poshtë akuzat.
Më shumë se 30 fluturime u anuluan në Munih për shkak të dronëve që u panë mbrëmjen e së enjtes, duke lënë të bllokuar pothuajse 3 mijë pasagjerë.
Fluturimet rinisën mëngjesin e së premtes dhe sipas të dhënave të ueb-faqeve që gjurmojnë fluturimet, fluturimi i parë nga ky aeroport u realizua në orën 05:50.
Një zëdhënës i policisë i ka thënë më herët AFP-së se disa persona panë dronët përreth aeroportit në orën 19:30 të së enjtes dhe sërish një orë më vonë, duke detyruar autoritetet që të ndalnin fluturimet.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të identifikuar origjinën e dronëve.
Helikopterët e policisë u dislokuan pas detektimit të dronëve, “por nuk ka informacione se çfarë lloji ishin fluturaket dhe sa ishte numri i tyre”, tha zëdhënësi i policisë.
Detektimi i dronëve në Danimarkë dhe inkursioni i Moskës në Estoni dhe Poloni kanë rritur frikën se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në shtete të tjera të Evropës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi Evropën të enjten se inkursionet e fundit me dronë tregojnë se Moska po synon që të “përshkallëzojë” agresionin e saj.
Gjermania është në gjendje të lartë gatishmërie pasi javën e kaluar tha se detektoi dronë mbi objekte ushtarake dhe industriale.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka thënë se Berlini ka nevojë “të gjejë përgjigje të reja për këtë kërcënim hibrid”, përfshirë edhe rrëzimin potencial të dronëve.
Gjatë kësaj jave, udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan në Kopenhagë për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së bllokut dhe për të krijuar një “mur për dronët”. Rusia ka deklaruar se këto plane të BE-së do të përshkallëzojnë situatën.