Përkundër kësaj PDSH duket se ka atutë e vetë në këto zgjedhje, kur dihet se në Tetovë ka më tepër se 4 mijë vota dhe në shumë qytete ka vota që mund të krijojnë moment për t’u rikthyer në lojë politikisht.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI
Skena politike e shqiptarëve në Maqedoni po rikomponohet dhe tashmë duket se në këto zgjedhje lokale do të krijohen dy blloqe tjera politike, të cilat do të synojnë rezultate sa më të favorshme në rrethin e dytë zgjedhor. Në njërën anë kemi koalicionin Lëvizja Besa me ASH, ndërsa duket se rrethi i dytë zgjedhor do gjejë me një marrëveshje edhe BDI dhe PDSH. Janë dy momente të reja politike që duket se betejën në rrethin e dytë do ta bëjnë interesante me premise edhe për ripozicionime tjera në skenën politike, varësisht nga rezultatet që do të dalin.
Duket se janë numrat që po diktojnë lëvizje të reja politike që konceptualisht po formësohen në zgjedhjet lokale. PDSH në rrethin e parë të zgjedhjeve doli me më pak vota, ndërkohë që kandidati për kryetar për komunën e Tetovës kishte deklaruar se kanë qenë të vetëm në zgjedhje pa përkrahjen e asnjë partie tjetër.
Lëvizja Besa dhe ASH tashmë në terren po bashkojnë forcat në bazë të marrëveshjes së arritur. Nuk kanë munguar fotografi motivuese për elektoratin e tyre që si imazhe janë përcjellë në frymën e bashkimit të votës.
PDSH pas zgjedhjeve është dukur e heshtur dhe sikur kishte pranuar rezultatin e konkurrimit të vetëm ashtu siç e kishte përkufizuar kandidati për Tetovën Bardhyl Dauti në prononcimin e tij pas mbylljes së rrethit të parë. Përkundër kësaj PDSH duket se ka atutë e vetë në këto zgjedhje, kur dihet se në Tetovë ka më tepër se 4 mijë vota dhe në shumë qytete ka vota që mund të krijojnë moment për t’u rikthyer në lojë politikisht.
Edhe paralajmërimet për hapje dyersh për hyrje në qeveri, tash për tash, në nivele deklarimesh jozyrtare, politikisht e rikthejnë PDSH në lojën e skenës politike të shqiptarët. Ky rikthim duket vjen natyrshëm, kur dihet se BDI dhe PDSH me kohë nuk i kanë më ato antagonizma politike që i kishin dikur dhe në kohën e shumë takimeve që kanë pasur Ahmeti dhe Thaçi. Ky përafrim bëhet akoma më i lehtë në zgjedhjet lokale, kur matematikat zgjedhore më tepër ndërlidhen me lloj pushteti në nivel qytetar se sa me ideologjitë që reprezentojnë partitë.
Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, pas përfundimit të rrethit të parë zgjedhor, ka folur me tone të qeta mbi marrëveshjen e BDI-LSDM, të cilën e ka quajtur transparente. Një marrëveshje me BDI, sigurisht do t’i mundësonte me gjasë edhe një fitore në Studeniçan por edhe përforcim të pozicioneve në skenën politike. E gjithë kjo në nivel të zgjedhjeve për pushtetin lokal mund të shihet si një pragmatizëm politik, por që hap edhe shumë observime tjera politike për të ardhmen.