Roli dhe rëndësia e lidershipit në menaxhimin e sfidave kritike të operacioneve ushtarake moderne.

118
fresco

Prof.dr. Muhamet RACAJ, Gjeneral-major (Në lirim)
Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup

“Luftërat e shekullit XXI kërkojnë liderë strategjikë që dinë të bashkojnë dijen, përvojën dhe aftësitë njerëzore për të arritur suksesin e operacioneve dhe për të ruajtur jetën e forcave të tyre në rrethana të paparashikuara dhe kërkuese”.

“Ky tekst shumë i shkurtër është frymëzuar dhe i bazuar në përvojën time 43- në udhëheqjen ushtarake dhe shpresoj se do të shërbejë për të frymëzuar dhe drejtuar liderët aktualë dhe të ardhshëm në këtë fushë jetike për sigurinë dhe paqen globale”.

Abstrakt
Ky punim trajton rëndësinë thelbësore të lidershipit strategjik dhe ekspertizën e nevojshme në operacionet ushtarake të shekullit XXI, ku sfidat e zmadhura dhe kompleksiteti i terrenit kërkojnë menaxhim efektiv të stresit dhe vendimmarrje taktike në kushte të vështira. Studiuhet roli i liderit si faktor kryesor në përballjen me sfidat operative, duke analizuar përvojat e misioneve ndërkombëtare me rrezikshmëri të lartë si “Liria për Irakun”, PHOENIX, ISAF dhe ALTHEA për të cilat përsonalish i kam pregaditur liderët e këtyre misioneve duke përfshirë edhe analizën e misionit pas mbarimit. Punimi përdor metodologji analitike dhe praktike që nxjerr në pah rëndësinë e trajnimit të vazhdueshëm, komunikimit të qartë dhe menaxhimit të stresit për sigurimin e suksesit operacional. Përfundimet nënvizojnë nevojën për lidership të vetëdijshëm për përgjegjësitë e veta dhe aftësi për adaptim në një mjedis operativ gjithnjë në ndryshim.

Fjalë kyçe: lidership strategjik, operacione ushtarake, stres luftar, menaxhim, komandim efikas.
Hyrje
Në shekullin XXI, luftërat kanë marrë dimensione të reja për shkak të avancimit teknologjik dhe ndryshimit të natyrës së konfliktit, duke rritur kështu kompleksitetin e operacioneve ushtarake. Në këtë kuadër, lidershipi strategjik bëhet faktor i pashmangshëm për drejtime të suksesshme të njësive në terren. Lidershipi nuk është vetëm ushtrim komandimi, por menaxhim i gjithanshëm i njerëzve, situatave dhe ndërlidhjes së proceseve në mjedise ku rreziku dhe stresi janë të pranishëm në çdo çast.
Objektivi kryesor i këtij studimi është të analizojë rolin dhe rëndësinë e lidershipit në menaxhimin e sfidave kritike të operacioneve ushtarake moderne, sidomos në aspektin e menaxhimit të stresit dhe rritjes operative të kapaciteteve të njësive. Ky punim synon të kontribuojë përmirësimin e parimeve të udhëheqjes në kushtet dinamike të fushave të betejës bashkëkohore.

PJESA KRYESORE

1. Sfida e lidershipit gjatë misionit
Lidershipi strategjik kërkon kapacitete të larta për të marrë vendime të shpejta dhe efikase nën presion, në kushte kur informacioni është i kufizuar dhe situata ndryshon me shpejtësi. Liderët duhet të mbajnë nën kontroll sigurimin e informacionit operativ, duke shmangur menjëherë çdo rrjedhje të mundshme që mund të kompromentojë misionet¹.
Prania e komandantit në terren është determinant kyç për motivimin dhe moralin e njësisë, si dhe ndihmon në njohjen reale të sfidave dhe rreziqeve të terrenit. Përkundër përfitimeve të pranisë në terren, liderët duhet të menaxhojnë edhe trajnimin dhe rotacionet për të mbajtur freski dhe vigjilencë mes njerëzve².
Një nga sfidat më të mëdha që unë kam parë gjatë detyrave në terren është lufta kundër vetëkënaqësisë, e cila i ekspozon njësitë ndaj rrezikut të shtuar. Mbrojtja kundër saj kërkon disiplinë të rreptë, ushtrime të shpeshta dhe përqendrim maksimal¹,².

2. Lidershipi strategjik efektiv gjatë misionit
Komunikimi efektiv me vartësit, dëgjimi i shqetësimeve dhe propozimeve, dhe udhëheqja me shembull personal janë parimet që garantojnë koordinim dhe besim midis komandantit dhe njësisë. Përdorimi i teknologjive moderne dhe përgatitjet taktike intensive e rrisin aftësinë për t’u përballur me situata të paparashikuara².
Lideri duhet të investojë në zhvillimin e aftësive të vartësve dhe në ndërtimin e një ekipi të fortë të përgatitur për të zëvendësuar komandantin në rast mospranie, duke garantuar kështu vazhdimësinë dhe fleksibilitetin operacional²,⁴.

3. Menaxhimi i stresit luftarak: shkaqet, shenjat dhe masat
Forcat elitare ushtarake operojnë në kushte të lodhjes së madhe dhe traumave psikologjike si pasojë e faktorëve të tjerë: periudha të gjata qëndrimi në zonë, humbje njerëzore, mungesa e pushimit dhe presionet familjare. Liderët strategjikë duhet të jenë në gjendje të njohin shenjat e stresit, të ndërhyjnë në kohë dhe të sigurojnë trajtim adekuat për të mbajtur kapacitetet luftarakë dhe shëndetin psikofizik të njësive³,⁵ ,⁶.
Njësitë me liderë të mirë trajnuar dhe të qëndrueshëm arrijnë të funksionojnë në mënyrë optimale edhe në kushtet më të vështira, duke minimizuar efektet negative të stresit në performancë dhe marrëdhëniet brenda grupit³,⁷.

4. Rritja e kohezionit dhe mbështetja e njësisë
Kohezioni i fortë është themeli i suksesit operativ dhe rezistencës ndaj ngarkesave psikofizike. Liderët duhet të sigurojnë kushtet optimale për pushim, stërvitje dhe angazhim aktiv të të gjithë pjesëtarëve në analizë dhe planifikim, duke nxitur solidaritetin dhe ndjesinë e përgjegjësisë kolektive⁴,⁷.
Gjendja fizike dhe morale duhet monitoruar vazhdimisht, ndërsa masat parandaluese dhe ripërtëritëse të jenë pjesë integrale e menaxhimit të njësive. Liderët duhet të ofrojnë mbështetje me ndjeshmëri dhe të shkëmbejnë përvojat për përmirësim të vazhdueshëm dhe përshtatje ndaj kërkesave që lëvizin shpejt⁴.

Përfundim:
Lidershipi strategjik është gurthemel i suksesit në zbatimin e operacioneve luftarake në shekullin XXI. Menaxhimi i stresit, aftësia për marrje vendimesh të shpejta dhe komunikimi i qartë me njësinë janë faktorë kyç për mbajtjen e reziliencës dhe realizimin e qëllimeve. Organizimi i duhur i pushimit, stërvitjeve dhe diskutimeve për mësime nga përvoja janë mjete esenciale për të garantuar suksesin dhe ruajtjen e jetës së pjesëtarëve nën komandë¹,² ,³.

Rekomandime nga përvoja 43-vjeçare si lider ushtarak:
Bazuar në 43 vite përvojë në udhëheqje ushtarake, nga njësitë më të vogla deri në nivele të larta të komandës së përgjithshme të ushtrisë, rekomandoj:
• Krijoni një ambient komandimi që promovon lirinë e shprehjes, mirëqenien dhe mirëmbajtjen e shëndetit fizik dhe psikologjik të personelit.
• Në çdo situatë forconi vetëbesimin tek njësia, liderët dhe pajisjet operacionale, sepse besimi është shtylla kryesore e suksesit në terren.
• Komandoni me shembull personal, duke demonstruar disiplinë të jashtëzakonshme, guxim dhe përgjegjësi.
• Prioritizoni pushimet dhe rikuperimin si pjesë integrale të planifikimit dhe realizimit të operacioneve, sidomos në misione afatgjata.
• Vendosni objektiva të qarta, të matshme dhe të arritshme për zhvillimin profesional dhe personal të pjesëtarëve, duke monitoruar progresin sistematikisht.
• Kuptoni dhe menaxhoni stresin në çdo individ dhe në njësinë si një e tërë, duke marrë masa parandaluese dhe intervenuese sipas situatës.
• Siguroni qarkullimin e informacionit në mënyrë të vazhdueshme dhe transparente në të gjitha nivelet e komandimit, për të minimizuar keqkuptimet dhe për të forcuar koordinimin.
• Trajnoni vazhdimisht liderët dhe njësitë në fushën e menaxhimit të stresit, teknologjisë dhe taktikave të reja të luftës.
• Mbani një elitë komandantësh fleksibël, të gatshëm për ndryshime dhe përshtatje strategjike në mjedise operative që ndryshojnë me shpejtësi.
• Çdo lider duhet të jetë një model i fortë në vlerësimin e moralit dhe gjendjes së përgjithshme të njësisë, duke ndërmarrë veprime të shpejta për të parandaluar krizën dhe të përmirësojë vazhdimisht kapacitetin operativ.
Këto rekomandime janë thelbësore për ndërtimin e një lidershipi të fuqishëm dhe të përkushtuar, që garanton jo vetëm suksesin e misioneve, por edhe mbrojtjen e jetës dhe dinjitetin e personelit ushtarak në shekullin XXI¹.

Literatura:
1. Rudolf V. Gulijani, Ken Karuso; Akademski pecat, Shkup, 2009.
2. US Department of the Army, Field manual FM 6-22.5, Combat Stress, 23 qershor 2000.
3. US Department of the Army, Field manual FM 6-22.5, Combat Stress, 2000.
4. US Department of the Army, Field manual FM 22-51, Leaders Manual For Combat Stress Control, 1994.
5. ADM McRaven, Special Ops Study, 1997.

Comments