Rritet numri i të paraqiturve në KSHZ për rregullimin e të drejtës votuese



Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i intensifikoi aktivitetet me të cilat u bën thirrje që të paraqiten në zyrat e saj ose në ueb faqe qytetarëve të cilëve nuk u përkojnë të dhënat me kontrollet për pastrimin e Listës Zgjedhore. Prej sot në listë me të dhënat kontestuese qëndron edhe shkaku për atë se pse qytetarët ishin në këtë listë.
Deri më datën 19 gusht qytetarët mund të paraqiten në KSHZ që ta rregullojnë të drejtën e tyre për të votuar, ndërsa deri më 30 gusht pritet Komisioni të dalë me raport të detajuar për atë se sa persona janë paraqitur dhe sa nuk e kanë bërë këtë dhe se si të veprohet më tej dhe që të munden partitë politike të bëjnë vlerësim për atë nëse ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
Kryetari i Komisionit, Aleksandar Çiçakovski në takimin me gazetarët theksoi se kontrolli i 39.502 qytetarëve me të dhëna kontestuese është vendim i partive politike i votuar nga Kuvendi. Sipas tij, te të gjithë anëtarët e KSHZ-së ka vullnet që në mënyrë konsekuente të zbatohet vendimi që të gjithë të kenë besim në Listën zgjedhore dhe të zbatohen zgjedhje kredibile.
Rreth 18.000 persona janë gjetur në këtë listë pasi që nuk ka pasur baza të tjera në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në bazën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe eventualisht në bazën e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave të Amzës, ku deri në vitin 2012/2013 librat janë udhëhequr në dorë. Te personat e tjerë rreth 21.000, siç theksoi Çiçakovski, ka mospërputhje me të dhënat e adresave.
Përveç këtij “mini regjistri aktiv”, siç tha, mundësia e dytë për t’u paraqitur, gjegjësisht rregullimi i së drejtës votuese do të ishte gjatë shqyrtimit publik të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Deri te të gjithë qytetarët të cilët janë në këtë listë, KSHZ ka dërguar letra në adresën në të cilën janë paraqitur te të dhënat. Letrat kanë mbërritur gjatë ditës së djeshme, me ç’rast, sipas Çiçakovskit, deri te Komisioni janë paraqitur një numër i madh.
Numri i të paraqiturve, sipas të dhënave të fundit të Komisionit, dje është rritur trefish.
“Sipas të dhënave të fundit deri sot në mesditë në KSHZ janë paraqitur gjithsej 1.560 qytetarë të dhënat e së cilëve në Listën zgjedhore pas kontrolleve të bëra terrenore dhe të kryqëzuara janë kontestuese, gjegjësisht nuk përkojnë me të dhënat në Listën zgjedhore. Prej tyre, 522 janë paraqitur në repartet dhe zyrat rajonale dhe zyrat plotësuese të KSHZ-së, ndërsa 1.038 janë paraqitur përmes ueb aplikacionit në internet faqen e KSHZ-së”, deklaroi për mediat Lupka Guguçeska, zëdhënëse e Komisionit.
Numri më i madh i të paraqiturve janë nga komunat Çair, Tetovë, Qendër, Aerodrom, Kërçovë dhe Gostivar.
Verifikimit shtesë do t’i nënshtrohen të dhënat e qytetarëve të cilët në KSHZ janë paraqitur në mënyrë elektronike.
Thirrja publike është publikuar në ueb faqen e KSHZ-së, ndërsa dje filloi fushata mediale, video dhe radio spote. Bilborde dhe fletushka janë vendosur në vende publike. Të gjitha materialet janë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e bashkësive etnike në vend. Partitë politike gjithashtu janë aktive në terren dhe ju bëjnë thirrje qytetarëve ta rregullojnë të drejtën për të votuar.
Qytetarët, veçanërisht personalitetet publike, të japin mesazh deri te bashkëqytetarët e tyre, bëri thirrje kryetari i KSHZ-së, dhe të paraqiten ta rregullojnë të drejtën për të votuar dhe ta ndihmojnë procesin.
Paralajmëroi se nga shtatori KSHZ-ja duhet ta ndërmarrë udhëheqjen e Listës zgjedhore, me ç’rast është përpunuar aplikacion i veçantë.
Lidhur me datën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Çiçakovski vlerëson se gjithmonë është sfidë mbajtja e zgjedhjeve në dimër apo verë.
Në regjistrin e shtetasve, sipas tij, janë rreth 2.400.000 qytetarë, rreth 1.950.000 janë të moshës madhore, prej tyre 150.000 nuk kanë letërnjoftime valide, ndërsa 8.000 nuk kanë të dhëna për adresën dhe prandaj nuk mund të hyjnë në Listën zgjedhore.