Rrugët dhe trotuaret e papastruara shkak për viktimën e parë në Kumanovë

187

Mesditën e sotme  në rrugën “JNA” në Kumanovë, si pasojë e rrëshqitjes në akull në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë Sefedin Ibrahimi i moshës 74 vjeçare.
Ekipi i mjekëve ka arritur vetëm të konstatojë vdekjen e tij, ndërkaq në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet policore dhe të hetuesisë për të kryer ekspertizën dhe për të zbardhur rastin në tërësi, për të konstatuar se vdekja a është shkaktuar nga rrëshqitja, apo nga ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Megjithatë, familjarët e të ndjerit shprehen të revoltuar ndaj autoriteteve  lokale për mospastrimin e rrugëve dhe trotuareve, njëherësh duke i apeluar kreut të Kumanovës që të pastrojë rrugët sa nuk janë shkaktuar edhe viktima të tjera.
“I apeloj kryetarit të komunës që të marrin masa urgjente që të pastrojnë rrugët, sepse njerëzit po na vdesin duke ecë. Normal, ku ka mundësi le të pastrohet, si rrugët, trotuaret… Po më vjen keq, sot ndërroi jetë axha ynë, e nesër mund të jetë ndokush tjetër. Siç e shihni, nuk ka ndihmesa, nuk pastrohet akulli, çdokush mund të rrëshqasë, edhe plaku, edhe i riu, e kështu me radhë. Apeloj edhe një herë që kryetari i komunës ta ketë parasysh këtë rast, sepse axha ynë vdiq shkaku i rrugëve dhe trotuareve të papastruara nga akulli e bora”,– deklaroi nipi i të ndjerit, Qahil Ibrahimi.
Ndërkohë që nga Policia e Kumanovës nuk kanë dalë me ndonjë informatë zyrtare për rastin në fjalë, por për gazetarë janë prononcuar përmes telefonit, duke potencuar se në bazë të vërtetimit të mjekes, vdekja e tij ka qenë e natyrshme për shkak të pushimit të rrahjes së zemrës.
Ndërkaq, nga Komuna e Kumanovës përmes një komunikate thuhet se nuk duan ta komentojnë vdekjen e Sefedin Ibrahimit derisa të kryhen hetimet dhe të vërtetohet se si ka ndodhur vdekja e tij./TVM2
Comments