Rusia dërgon në burg ushtarët ukrainas, s’tregon nëse do t’i trajtojë si kriminelë apo robër lufte

193
fresco

Më shumë se 900 luftëtarë ukrainas, të cilët janë mbajtur në Mariupol, në fabrikën e çelikut Azovstal janë dërguar në një burg veçmas për ta në një territor që kontrollohet nga Rusia, ka thënë Moska.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të mërkurën se 959 persona të shërbimit ukrainas janë dorëzuar që nga e marta. Prej tyre, 51 po trajtoheshin për lëndimet e tyre dhe pjesa tjetër ishte dërguar në një ish-koloni burgu në qytetin Olenivka në një zonë të kontrolluar nga Rusia në rajonin e Donetskut.

Ministria e Mbrojtjes në Kiev tha se shpresonte për një “procedurë shkëmbimi… për të riatdhesuar sa më shpejt të jetë e mundur këta heronj ukrainas”, sipas AFP, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse ata do të trajtohen si kriminelë apo robër lufte, meqë zëdhënësi i Kremilinit, Dmitry Peskov ka refuzuar të tregojë për fatin e tyre.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës u zotua se do të bëjë “çdo gjë të nevojshme” për të shpëtuar ata që janë ende nëpër bunkerë dhe tunele në fabrikën e çelikut, por pranoi se nuk kishte asnjë opsion ushtarak në dispozicion.

Comments