Samit ushtarak në Paris për misionin e çminimit në Ngushticën e Hormuzit

174

Vendet ‘vullnetare’ po studiojnë një mision detar për çminimin e ngushticës së Hormuzit. Sipas asaj që mëson Corriere nga burime të kualifikuara, në orët e ardhshme në Paris do të zhvillohet një samit ushtarak për të koordinuar një ndërhyrje të mundshme për të rivendosur lirinë e lundrimit në këtë rrip detar, nga ku kalon 20% e naftës botërore, pasi të kenë pushuar armiqësitë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Takimi do të jetë “me prani fizike” dhe do të ketë si objekt planifikimin paraprak të misionit të vendeve vullnetare, pra jo në kuadër të NATO-s, në rast se në terren krijohen kushtet për ndërhyrjen e anijeve çminuese, domethënë nëse arrihet një armëpushim i qëndrueshëm në konflikt.

Pjesëmarrja e Marinës ushtarake italiane

Takimi pritet të zhvillohet që sot ose, më së voni, nesër dhe do të jetë i ndarë nga samiti politik i koalicionit të vendeve vullnetare i planifikuar për të premten, gjithmonë në Paris, në Pallatin Élysée. Në takim, sipas të njëjtave burime, do të marrë pjesë edhe Marina ushtarake italiane, e cila disponon tetë anije çminuese dhe ka përvojë në këto lloj operacionesh.

Në mbledhje nuk pritet të marrin pjesë shefat e shtabeve të përgjithshme, por oficerë dhe gjeneralë me përvojë në pjesën operacionale, jo drejtuesit më të lartë ushtarakë. Qëllimi është të vendoset paraprakisht se çfarë roli do të kishte secili vend në një mision të mundshëm në ngushticën e Hormuzit dhe çfarë mjetesh mund të vihen në dispozicion për operacionin.

Sot, Divizioni i 5-të detar disponon tetë anije çminuese, të ankoruara në portin e La Spezia-s. Ato janë mjete speciale, rreth 50 metra të gjata. Ndryshe nga anijet luftarake, trupat e anijeve çminuese nuk janë prej çeliku, por prej tekstil-qelqi (fibër xhami), materiale jomagnetike, ndërsa motorët janë të montuar në mënyrë që të minimizojnë pothuajse plotësisht zhurmën dhe dridhjet.

Këto veçori i bëjnë ato “të padukshme” për sensorët magnetikë dhe akustikë të minave detare: pra të mos bëhen objektiv i tyre, por t’i “gjuajnë” minat. Megjithatë, janë mjete më të brishta dhe për këtë arsye vështirë se mund të ndërhyjnë në faza të konfliktit aktiv.”

Comments