SASHK: Pagat u rritën por problemet mbetën
Për punonjësit në arsim, Janari i vitit 2020 do të sjell paga më të larta për 10 %, mirëpo nuk do të mbyllë kapitullin e problemeve që tashmë sa vite ata po përballen.Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) kërkon nga Qeveria dhe Ministra e Arsimit kthimin e regresit vjetor, fonde të posaçme për transport dhe orëve shtesë të punës si dhe miratimin e marrëveshjes kolektive.
T’i rikthejmë ato përfitime të cilat i kishim humbur e ato janë kthimi i kompensimit për transport për kolegët që udhëtojnë më shumë se 20-30 kilometra në mjediset rurale e malore, të cilët nga paga e tyre personale ndajnë më shumë se 20 %. Gjithashtu kemi edhe kërkesa të tjera, kthimi i regresit për pushimin vjetor, pagesë të punës shtesë në arsim, puna e natës te një pjesë e të punësuarve që janë në arsim e kështu me radhë – deklaroi Joakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Edhe ministri Arbër Ademi është i ndërgjegjshëm për problemet në arsim. Ai thotë se do të vijojë bisedimet me Sindikatën për të përmirësuar statusin e të gjithë të punësuarve në arsim.
Jemi në bisedime dhe negociata permanente për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me arsimin dhe shkencën. Në këtë mënyrë do të kemi dhe po japim një kontribut për përmirësimin e statusit të të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit. Besoj se me politika të këtilla do të vazhdojmë që të kthejmë dinjitetin e profesionit të mësimdhënësit në shoqërinë tonë – u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Gjatë firmosjes së Marrëveshjes për rritjen e pagave në arsim nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kryeministri Zaev tha se pret që deri në muajin prill të zbatohen të gjitha reformat në këtë sektor.
Si Qeveri dhe unë si kryeministër që po e lëshoj këtë funksion ua lë amanet që deri në muajin prill, ashtu siç u morëm vesh ta bëjmë reformën strukturore në arsim. Shumë është e rëndësishme dhe kjo do të jap gjasa shtesë për përparimin edhe të kualitetit për punë të nxënësve por edhe të mësimdhënësve – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Sipas të dhënave nga Qeveria, mbi 32 mijë është numri i të punësuarve në arsim dhe shkencë që do të marrin paga më të larta. Në buxhetin e vitit 2020, për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale janë paraparë investime në shumë prej 154 miliardë denarë.
Melihate Rustemi

