Seancë qeveritare për gjendjen e jashtëzakonshme?
LSDM dhe VMRO-DPMNE as sot nuk u pajtuan për datën e zgjedhjeve, e cila do të ishte e pranueshme si për qeverinë ashtu edhe për opozitën. Për këtë shkak, qeveria caktoi seancë që do të fillojë sonte në orën 19;30. Do të vendoset nëse do t’i dërgojnë propozim të ri presidentit Stevo Pendarovski për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo do të thotë që 5 korriku tashmë bie poshtë si datë e mundshme për zgjedhje. Sot, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi se 8 korriku është lëshimi i fundit që ai bën në lidhje me përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Ja, po tërhiqem nga 5 korriku dhe jam dakord që zgjedhjet të jenë në 8 korrik, të mërkurën, ku të sëmurët dhe personat në nevojë do të votojnë të hënën dhe të martën, qytetarët tanë në izolim ose ata pozitivë që janë në spitale ose në shtëpi, dhe në votim do të përfshihen edhe të gjithë të sëmurët kronikë, të moshuar dhe të tjerët. Vetëm së bashku të sigurojmë pjesëmarrje në zgjedhje, të marrë pjesë edhe opozita dhe kjo të jetë ne afat të arsyeshëm”-tha Zoran Zaev, kryetarë i LSDM-së.
Por kryeministri teknik Oliver Spasovski tha se nuk ka nevojë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme. 5 korriku, sipas tij, ështe data e betonuar për zgjedhjet.
Institucionet kanë kapacitet në ditën e zgjedhjeve t’i sigurojnë të gjitha masat e nevojshme parandaluese për të mbrojtur plotësisht votuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në procesin zgjedhor.”-pohoi Oliver Spasovski, kryeministër teknik.
VMRO-DPMNE për propozimin e Zaevit, zgjedhjet të bëhen më 8 korrik, do të përgjigjen nesër, edhe pse gjendja e jashtëzakonshme skadon sonte në mesnatë. Ata nuk përmendin data, por jozyrtarisht, 8 korriku nuk ështe i pranueshëm, kështu që ata po shqyrtojnë një datë nga mesi i korrikut.
… Qëllimi ynë është të arrijmë ambient më të sigurt të mundshëm për zgjedhje në rrethana të këtilla komplekse.”-tha Orce Gjeorgjievski, VMRO – DPMNE.
Nga ana tjetër, BDI mbetet në qëndrimin se për datën e zgjedhjeve nevojitet konsensus mes të gjitha partive.
Bojan Stojanovski