Sela në “Zig Zag”: Në atë shtëpi ku nuk ka marrëveshje, pason divorci



I pyetur se si do ta realizoj ofertën e tij politike ku kërkon shtet binacional duke pasur parasysh se partitë maqedonase gati se fare hiq nuk dëshirojnë të dëgjojnë për një gjë të tillë, Sela u përgjigj duke thënë se në çdo shtëpi ku nuk ka marrëveshje pason divorci, duke aluduar në ndarje mes maqedonasve dhe shqiptarëve.
Ai u shpreh se edhe poqëse i fiton zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk do të futet në qeveri, por do ta bashkojë gjithë spektrin politik shqiptarë në një forcë të përbashkët.
“Kur jetohet me një shtëpi dhe s’ka marrëveshje, kur tjetri nuk don të dëgjoj bëhet divorc. Ne si Aleancë, unë personalisht kam folur për strategjinë e veprimit politik tonin. Në asnjë moment unë nuk kam thënë që ne do ti fitojmë zgjedhjet dhe do të futemi në qeveri, jo, ne duam ti fitojmë zgjedhjet dhe të bashkojmë gjithë spektrin politik shqiptarë, pse, nuk kam hallin të ulem me Aliun ose me Menduhin apo me dikë tjetër, por dua të bashkoj vullnetin politik të shqiptarëve të cilët do të votojnë më 11 dhjetor në një forcë politike të përbashkët, dua ti bashkojë gjithë deputetët që përfaqësohen nëpërmjet partive politike shqiptare në Parlament, në mënyrë që pastaj ti pyesim maqedonasit a duan të bashkëjetojnë me ne apo sduan”, ka deklaruar Sela duke shtuar se duhet të bëhen ndryshime të domosdoshme të ligjeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Dhe kjo a duan të bashkëjetojnë me ne ose nuk duan është një ndër ndryshimet që do të bëhen dhe kjo nuk është vetëm një ndër ndryshimet kushtetuese, do të jenë me qindra ligje të cilat duhet të sillen dhe të ndryshohen. Një ndër ato ligje do të jetë pikërisht edhe për problematikën që folëm, emërtimi i shkollave, i rrugëve dhe gjithçka, nuk mund të shkoj kjo deri në pafundësi. Një ndër ato ligje do të jetë ligj për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, nuk mundet në Tetovë që është 80% shqiptar, ndërsa në institucionet e pushtetit qendrorë në ministritë rajonale 80% të jenë të punësuar maqedonas”, ka deklaruar përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në emisionin “Zig Zag” që emetohet në Televizionin Art.