SHBA akuzon LVV-në për qasje përçarëse dhe vizion të ngushtë

54

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka vlerësuar se përpjeka e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje brenda Komisionit Qendror Zgjedhor për ta mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit është tentim “përçarës” dhe i “ngushtë si vizion”.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”.

Veprime të tilla, sipas SHBA-së, minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare.

Komisioni Qendror Zgjedhor, të martën, refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetori. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, ajo e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, kanë votuar për. Ndërkohë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë abstenuar.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë janë shprehur të zhgënjyer dhe indinjuar me vendimin e fundit të KQZ-së në raport me Listën Serbe.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.

Edhe OSBE-ja ka dënuar veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Veprime të tilla përbëjnë një largim të qartë nga standardet ndërkombëtare të pranuara për proceset zgjedhore. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili pasqyrohet në sjelljen e votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake e jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike”.

Në vlerësimin e OSBE-së veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të forcojnë perceptimin se vendimet janë të motivuara politikisht, e jo të udhëhequra nga parimet e drejtësisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Në anën tjetër Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vlerësoi se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt.

Comments