SHBA do të drejtojë Venezuelën, nafta në qendër të planit pas kapjes së Maduros
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump doli të shtunën para mediave në Mar-a-Lago për të komentuar operacionin historik amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e Nicolás Maduros, duke e përshkruar ndërhyrjen si një demonstrim force “të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
I rrethuar nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare, përfshirë Pete Hegseth, Marco Rubio, Dan Caine, John Ratcliffe dhe Stephen Miller, Trump tha se u përdor “fuqi dërrmuese amerikane nga ajri, toka dhe deti”, duke shtuar se “asnjë komb tjetër nuk do të ishte në gjendje ta realizonte një operacion të tillë”.
Gjatë pyetjeve të gazetarëve, Trump u pyet drejtpërdrejt se kush do e drejtojë Venezuelën.
“Një grup”, u përgjigj ai shkurt, përpara se ta kthente menjëherë vëmendjen te industria e naftës.
Presidenti deklaroi se kompanitë e naftës do të paguajnë për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar.
“Ne do ta drejtojmë vendin siç duhet. Do të sjellë shumë para”, tha Trump, duke akuzuar qeveritë e mëparshme venezuelase se “na kanë vjedhur naftën”.
Venezuela zotëron afërsisht 17 për qind të rezervave botërore të naftës.
Trump theksoi disa herë se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës derisa të realizohet një tranzicion “i sigurt, i drejtë dhe i kontrolluar”.
Presidenti amerikan deklaroi se Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth do të formojnë një “ekip” që do të punojë me përfaqësues venezuelas për drejtimin e vendit gjatë një periudhe kalimtare pa afat të përcaktuar.
Gjatë deklaratës së tij, Trump nuk përjashtoi as praninë ushtarake tokësore.
“Nuk kemi frikë nga trupa në terren, nëse duhet”, tha ai.
Nga ana ushtarake, shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, konfirmoi se operacioni, i koduar “Absolute Resolve”, u nis me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë dhe përfshiu rreth 150 avionë për të neutralizuar mbrojtjen ajrore të Venezuelës.
Kjo i hapi rrugën helikopterëve amerikanë të hynin në Karakas dhe të nxirrnin Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, nën zjarr.
Sipas Caine, operacioni zgjati rreth dy orë e 20 minuta. Një avion amerikan u godit, por mbeti funksional, dhe nuk pati humbje jete mes forcave amerikane.
Trump deklaroi gjithashtu se SHBA ishte e përgatitur për një valë të dytë sulmesh, por se suksesi i operacionit fillestar e bëri të panevojshme.
Ai e përshkroi të ardhmen si një “partneritet” mes SHBA-ve dhe Venezuelës, ndonëse i arritur përmes përmbysjes së qeverisë ekzistuese.

